“Koncesioni” i shkollave – Mazniku: Gara hapet brenda shtatorit, ka interes paraprak nga firmat

Brenda muajit shtator Bashkia e Tiranës do të hapë garën për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes partneritetit publik-privat, ndërkohë që pas miratimit të vendimit në Këshillin Bashkiak tashmë disa firma kanë shprehur interesin paraprak”.

Lajmi për TV SCAN bëhet me dije nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili shtoi se shkollat do të kenë të integruar edhe kopshte, duke shtuar edhe numrin e këtyre të fundit. Gjithashtu, Mazniku tha se kjo është mënyra e duhur për t’i siguruar këto institucione arsimore brenda një kohe të shkurtër, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare mësimit me turne.

“Banda e konkursit hapet brenda muajit shtator për t’i dhënë mundësi investitorëve të ndryshëm lokalë apo ndërkombëtare të aplikojnë për këtë projekt, që unë besoj që është jo vetëm inovatorë, por është edhe projekti që do të japë në kohën më të shkurtër të mundshme një zgjidhje për një problem historik, që nuk ka pasur zgjidhje gjatë kësaj kohe në Tiranë. Ne sot kemi më shumë se 70% të shkollave të qytetit të cilat bëjnë mësim me dy turne”, tha Mazniku.

Gazetarja: Përse u zgjodh kjo formë për ndërtimin e shkollave, përse pikërisht Partneriteti Publik Privat?

“Argumenti është shumë i thjeshtë. Bashkia Tiranë ka investuar gjatë viteve të shkuara rreth 2-3 mln çdo vit, për investimin për shkolla të reja. Me buxhetin e ri të bashkisë gjatë këtyre dy viteve ky buxhet është rritur ka shkuar rreth 4-5 milionë. Kjo do të thotë që ne praktikisht mund të bëjmë një shkollë e gjysmë në vit. Ndodhemi përpara dy zgjedhjeve ose do qëndrojmë të presim 12 vite për të mbaruar të gjitha shkollat që na duhen, çka do të sillte që 12 breza që do bënim mësim jashtë standardeve, siç kanë bërë një gjeneratë e tërë nga vitet 90 deri më tani me dy turne, pra o do prisnim të gjithë këto vite ose zgjidhja tjetër është se si ta zgjidhim këtë problem një herë e mirë. Zgjidhja është kjo ne kemi mundësi të bëjmë një partneritet me disa investitorë privatë, të cilët me paratë e tyre i ndërtojnë të gjitha shkollat në një moment dhe më pas ne i paguajmë ata për një periudhë 7 vjeçare. Që në vitin 2019 ne do të kemi mundësi të kemi shkolla për të gjithë fëmijët dhe kjo është arritja me e madhe përmes kësaj skeme dhe më pas për një periudhë 6-7 vjeçare ne paguajmë investitorët për këtë investim”, pohoi Mazniku.

Referuar Vendimit të Këshillit Bashkiak, në total, kosto direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është 5.4 miliard lekë, ndërkohë që koncesionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7-vjeçare.

Në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kosto totale e skemës së partneritetit publik-privat do të jetë rreth 8 miliardë lekë.

SHKARKO APP