Konferenca e diasporës nismë për tu vlerësuar

Në mënyrë që kjo konferencë t’ia arrijë qëllimit, duhet që qeveria shqiptare të krijojë një fond për shkolla dhe libra shkollor për shkollat shqipe jashtë vendit,  fenomen të cilin e dimë të gjithë, për kulturën dhe për kthimin në atdhe të atyre  intelektualëve të shquar shqiptarë. Por që të bëhen këto do duhet të heqim dorë nga emërimet nepotike sidomos të ministrave një pjesë e të cilëve ju mungon dhe formimi formal, duhet të formohet Ministria e Diasporës

Nga Sadedin Çeliku

Siç është bërë me dije,  samiti i diasporës, e cila mbahet së shpejti në Tiranë do të mbledhë së bashku shqiptarët e harruar.  Me këtë rast, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka firmosur ftesat, të cilat po shpërndahen nga organizatorët e ambasadat tona jashtë vendi. Tani mbetet për t’u parë vlera e këtij samiti dhe vendimet që ajo mendon të marrë. Sigurisht që, nisma e marrë me këtë rast duhet vlerësuar, por personalisht kam disa rezerva, të cilat i kam bërë me dije në shkrimet e mëparshme. Angazhimi i njerëzve që jetojnë e punojnë në diasporë janë i madh në numër dhe është mjaft e vështirë evidentimi i të gjithë atyre që kanë një performancë të mirë e të admirueshme.  Ato që do marrin pjesë janë njerëzit që ftohen nga ambasadat tona e që mbajnë lidhje me to, por ka qindra të tjerë që nuk mbajnë lidhje me ambasadat tona dhe për rrjedhojë nuk e njeh askush aktivitetin e tyre.

Personalisht njoh shumë personalitete në fushën e financave publike, diplomaci, në shkencë, pedagogji etj., në mënyrë të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanada,  të cilët punojnë në IFC, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar,  në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në selinë e Bashkimit Europian, në Bankën për Rindërtim e Zhvillim,  etj, që mund të ishin shumë  kontributiv në mirëqeverisjen e Shqipërisë. Por,  janë dhjetëra doktorë shkencash, as. profesorë dhe profesorë universitetesh e mjekë-kirurgë me emër të mirë, të cilët si njeh askush nga vendi amë. Meqenëse ka ende kohë deri më 18 nëntor, kur do të mbahet samiti është mjaft e rëndësishme të kërkohen e të ftohen këto kontingjente intelektualësh.

Pavarësisht nga pozitiviteti që ka kjo nismë, është e drejtë të theksoj se mungesa e politikave nga një qeveri në tjetrën ka bërë e promovuar mjaft fenomene negative siç janë mungesa e shkollave shqipe (ato që janë hapur në Greqi, SHBA e ndonjë vend tjetër janë të pakta), reduktimi dhe ndalja e asimilimit të kombit shqiptar mbrojtja dhe promovimi i kulturës shqiptare etj.

Në mënyrë që kjo konferencë t’ia arrijë qëllimit, duhet që qeveria shqiptare të krijojë një fond për shkolla dhe libra shkollor për shkollat shqipe jashtë vendit,  fenomen të cilin e dimë të gjithë, për kulturën dhe për kthimin në atdhe të atyre  intelektualëve të shquar shqiptarë. Por që të bëhen këto do duhet të heqim dorë nga emërimet nepotike sidomos të ministrave një pjesë e të cilëve ju mungon dhe formimi formal, duhet të formohet Ministria e Diasporës ose kjo detyrë t’i ngarkohet me ligj Ministrisë Inovacionit, e cila deri më tash le shumë për të dëshiruar mos të them se është fare kot. Bashkimi i shqiptarëve të diasporës dhe i intelektualëve shqiptarë anekënd Botës mund dhe duhet të bëhet, por ajo nuk bëhet me konferenca, por me politika dhe veprime konkrete.

SHKARKO APP