Konferenca famëkeqe, sot 102-vjetori i copëtimit të tokave shqiptare
Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në dhjetor të 1912-s, duke vazhduar deri më 29 korrik 1913. Ajo ka qenë përcaktuese e të ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet nga këtu Shqipëria doli e përgjysmuar në kufijtë e saj
Kjo konferencë u diktua prej shpërthimit të luftës së parë ballkanike. Morën pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i perandorisë osmane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe të Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin). Nga kjo konferencë doli Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që dolën jashtë perandorisë osmane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre.
Ky Traktat mbeti i fshehtë deri në Konferencën e Versajës (1918). Të gjitha fuqitë e mëdha paraqitën versionin e tyre të hartës së Shqipërisë. Harta më e favorshme për shqiptarët ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria.
Në këtë konferencë Shqipëria u njoh si principatë, që do të thoshte se forma e qeverisjes do të ishte monarkike, pushteti i trashëgueshëm, ndërsa pavarësia e kushtëzuar, sepse principata nuk arrin deri tek e drejta e shtetësisë.
Në këto kushte Ismail Qemali u detyrua të jepte dorëheqjen, qoftë për t’i hapur rrugën një princi të huaj, ksenokracisë; qoftë për t’u mbrojtur nga akuzat për t’u shpallur vetë sovran i vendit. Ky është quajtur dhe viti i mbrapshtë i Shqipërisë, nga filluan shumica e fatkeqësive të saj: paqëndrueshmëria e sistemit politik, varësia prej së jashtmi, forca e madhe e ndikimit të të huajve dhe mbi të gjitha ndarja për gjysmën e territoreve të saj.
Shembja e sundimit turk në Ballkan do të bënte që fati i mëtejshëm i Shqipërisë të hynte në planet e reja të politikës së tyre ballkanike. Aleatët ballkanikë i trajtonin krahinat shqiptare si trofe lufte. Ata treguan kështu se ishin të vendosur të vepronin sipas marrëveshjeve të fshehta që kishin lidhur më parë me njëri-tjetrin, se ishin kundër një Shqipërie më vete.
Pjesëmarrës në këtë konference ishin ambasadorët e Fuqive të Mëdha, ai i Austris ë, i Gjermanisë, i Italisë, i Francës dhe i Rusisë. Si përfaqësues dhe ministër i Jashtëm i vendit pritës, Eduard Grei, ishte njeriu që u zgjodh kryetar i përhershëm i konferencës.