Konkurrenca: Shoqëritë e transportit detar të deklarojnë tarifat

Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka hetuar tregun e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve për periudhën Janar 2013-Gusht 2014 .

Sipas njoftimit te publikuar ne fagqen e AK-se, gjatë hetimit, konkurrenca ka konstatuar se për vitin 2014, pas ndryshimeve të legjislacionit,lejet për ushtrimin e shërbimit të transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve janë lëshuar nga QKL ku nuk ju kërkohej të deklaronin paraprakisht tarifat që do të aplikonin.

Sipas autoritetit, mospërcaktimi i tarifave që do të aplikohen gjatë vitit, vështirëson kontrollin dhe mbikëqyrjen e tarifave të aplikuara nga ndërmarrjet për shërbimin që ofrojnë, duke pasur parasysh që biletat për transportin detar të udhëtarëve dhe automjeteve tregtohen nga agjencitë në të gjithë Shqipërinë si dhe jashtë saj, duke mos përjashtuar dhe shitjen on-line të tyre.

Duke pasur parasysh mënyrën e tregtimi të biletave dhe të operimit të ndërmarrjeve në treg, të cilat nuk janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, megjithëse ushtrojnë veprimtari në territorin e RSH, vështirësohet mbikëqyrja e tyre lidhur me tarifat që aplikojnë për udhëtarët dhe automjetet që transportojnë nga/drejt Republikës së Shqipërisë.

Si rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur t’i rekomandojë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës:

1. Të detyrojë ndërmarrjet që operojnë në treg të mbajnë të dhënat ditore për tarifat e aplikuara të çdo biletë të shitur si dhe të mbajnë rekorde të shitjeve të biletave për një periudhë të paktën 3 (tre) vjeçare.

2. Këto të dhëna të jenë të aksesueshme në çdo kohë nga institucionet licensuese dhe mbikëqyrëse të tregut.

3. Gjatë procesit të licencimit të ndërmarrjeve të miratohen nivelet e tarifës maksimale që do të aplikohen për çdo kategori udhëtimi sipas sezoneve.

4. Të realizojë mbikëqyrjen e tarifave të aplikuara nga ndërmarrjet krahasuar me tarifat maksimale të miratuara.

5. Hartimin e nje metodologjie bazuar në kostot reale për përcaktimin e nivelit të tarifave maksimale për shërbimin e transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve dhe automjeteve.

Pas këtyre rekomandimeve, Konkurrenca ka vendosur mbylljen e procedurave te hetimit paraprak në tregun e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe automjeteve.

SHKARKO APP