Kontrata për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, Haxhinasto: Punimet nisin në maj, do celen vende pune

 

Në ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës u nënshkrua të hënën kontrata për ndërtimin e rrugës Qukës- Qafë Plloçë, punimet për ndërtimin e së cilës do të nisin pas një muaji.

Sipas ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, ky segment rrugor është një ndër më të rëndësishmit të korridorit 8, ndërsa ndërtimi i tij përmirëson ndjeshëm lidhjet me fqinjët jugorë e juglindorë.

“Rruga është pjesë shumë e rëndësishme e korridorit 8, që përmirëson ndjeshëm lidhjet e Shqipërisë me fqinjët jugor dhe juglindor, dhe veçanërisht i shërben ekonomisë dhe turizmit në atë zonë.

Por, ajo i shërben shumë edhe punësimit të banorëve të zonës së Quksit, Mokrës e Pogradecit, pasi është një vepër e cila kërkon angazhime të mëdha, si në fuqi inxhinierike ashtu edhe në kapital njerëzor për t’u angazhuar  për realizimin e saj”, deklaroi Haxhinasto.

Po ashtu, Haxhinasto siguroi se rruga do të ndërtohet sipas standardeve më të mira që zbatohen sot.

Ai bëri të ditur se po ashtu rruga do t’i shërbejë edhe zhvillimit të zonës, e cila ka një potencial të lartë ekonomik. Punimet për ndërtimin e rrugës parashikohet të zgjasin 3 vite.

Të dhëna teknike

Projekti i ndërtimit të rrugës Qukës – Qafë e Plloçës, pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë (Korridori VIII) konsiston në ndërtimin e një segmenti rrugor prej 43.4 km të gjatë, që do të kalojë ndërmjet Qarkut të Elbasanit dhe atij të Korçës e që së bashku me ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis portit të Durrësit e vendeve të tjera të Ballkanit, si Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Turqia etj., duke e bërë Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Evropës dhe anasjelltas.

Kjo rrugë shërben, gjithashtu, si një bypass për qytetin e Pogradecit, një nga kryeqendrat turistike të Shqipërisë juglindore, duke shmangur kështu ndotjen e qytetit dhe liqenit të tij si pasojë e tranzitit të mjeteve të rënda, gjë e cila do të rrisë komoditetin turistik në këtë rajon e, për pasojë, do të sjellë rritjen e numrit të turistëve. Për sa i përket zhvillimit lokal mund të themi se kjo rrugë që kalon në zonën e Mokrës dhe krijon akses me tregjet e Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Elbasanit apo edhe më gjerë, do të sjellë investime të reja në bujqësi, rritje të konsiderueshme të prodhimit vendas e, për pasojë, ulje të konsiderueshme të papunësisë.

Gjatësia e segmentit Qukës – Qafë Plloçë është 43,4 km, nga të cilat 2.9 km e para kanë filluar të ndërtohen me fonde të buxhetit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër, prej 40.5 km, do të financohet nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB) dhe Fondi Saudit për Zhvillim (SFD). Rruga në 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin e më pas vazhdon në malësinë e Mokrës, e cila njihet si një zonë me terren të vështirë, dhe për këtë arsye do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, më shumë se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë. Rruga do të ketë gjerësi prej 12 m, me 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m në total), 2 bankina të asfaltuara, me gjerësi 1.5 m secila, dhe 2 bankina të paasfaltuara, me gjerësi 1 m secila.

Projekti do të ndahet në tre seksione ndërtimi

Kostoja totale e projektit me përllogaritje paraprake do të jetë rreth 152.75 milionë usd, nga të cilat:
a) 125 milionë usd janë akorduar nga huaja e IDB-së për të financuar dy seksionet e para të projektit, me një gjatësi të përgjithshme prej 30.9 km, ku përfshihet edhe ndërtimi i tunelit;
b) 25 milionë usd janë akorduar nga SFD-ja nëpërmjet marrëveshjes në fjalë, me anë të së cilës do të financohet seksioni i tretë, me një gjatësi prej 9.6 km,
c) 2.75 milionë usd do të financohen nga qeveria shqiptare për shpronësimet, punimet përgatitore të tjera dhe fonde rezervë.

Kontrata për 2 segmentet e para:

Segmenti i parë do të ndërtohet nga kompania Join Venture Sintram-Albavia dhe vlera për ndërtimin e tij llogaritet 38,199,652.84 dollarë
Segmenti i dytë do të ndërtohet nga kompania Combined Group dhe vlera llogaritet 63,098,543. 45 dollarë
Kohëzgjatja e realizimit të këtij projekti është 3 vjet + 1 vit garanci punimesh të parashikuar në kontratat respektive me kontraktorët.
Seksioni i tretë i rrugës me një gjatësi prej 9.6 km është në proces tenderimi dhe shumë shpejt pritet të fillojë nga puna.

SHKARKO APP