Kontroll cilësisë së naftës edhe në pikat e shitjes me pakicë

Kontroll cilësisë së naftës dhe nënprodukteve të saj edhe në pikat e shitjes me pakicë. Ky është thelbi i ndryshimeve të miratuara nga Qeveria dhe që pritet të diskutohen dhe miratohen edhe nga Kuvendi në ligjin “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”.

Synimi i këtyre ndryshimeve është mbrojtja e konsumatorëve fundorë. Nisma për ndryshimin e ligjit ka mbërritur në Kuvend dhe do të nisë shqyrtimin në komisionet parlamentare. P/ligji ka të bëje me inspektimin e cilësisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, që ofrohen nga tregtarët me pakicë dhe njësitë e lëndëve djegëse, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve fundorë. P/ligji parashikon një dispozitë tranzitore, që i lejon inspektoratit shtetëror përgjegjës, në varësi të ministrit përgjegjës për hidrokarburet, pra MEI-­t, të kryejë funksionet e inspektimit për kontrollin e respektimit të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj, që tregtohen nga subjektet e tregtimit me pakicë, për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, deri në krijimin e strukturës përgjegjëse së mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë, duke qenë se kjo strukturë nuk është krijuar akoma

Ky projektligj synon garantimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, nëpërmjet strukturës së posaçme që do të krijohet pranë ministrisë përgjegjësë për ekonominë dhe do të ketë kompetenca vetëm përsa i përket shërbimeve që u ofrohen konsumatorëve. Është parashikuar që bashkërendimi i veprimtarisë, ndërmjet inspektoratit shtetëror përgjegjës dhe strukturës së mbikëqyrjes së tregut, të rregullohet me një udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për hidrokarburet dhe ministrit përgjegjës për tregtinë, duke marrë në konsideratë se ligji përcakton marrëdhënie të tilla ndërmjet pjesëmarrësve të tregut, të cilët nuk mund të ndahen nga njëri – tjetri. Në këtë kuptim, me qëllim respektimin e ligjit dhe sigurimin e cilësisë dhe standardeve të shoqërive të tregtimit me shumicë, është e nevojshme që inspektorati përgjegjës, në varësi të MEI­t, të kontrollojë edhe monstra përfaqësuese të shoqërive tregtuese me pakicë, apo njësive të lëndëve djegëse. Me qëllim finalizimin e inspektimeve si dhe ndëshkimin e subjekteve abuzive është parashikuar që, për qëllim të cilësisë së produkteve, struktura e mbikëqyrjes së tregut të vendosë gjoba.

SHKARKO APP