“Kopani” tatimor…

Fejton/Nga Thoma Goga

E quajta kështu sepse një fëmijë, që e kishin porositur prindërit të mos ikte nga dyqani pa marrë atë fletën, i kërkoi arkëtares “kopanin” tatimor. Fëmijë është, s’ka faj. Edhe unë i kërkova “kopanin” tatimor, nga frika se më rrihte gruaja me kopanin që shkund jorganin…

Nejse, përtej shakasë, ka lezet kur mendon se do bëjmë shtet. Ja, pi kafenë tjetri e bashkë me filxhanin vjen kuponi tatimor. Edhe sikur “shqeto” të jetë kafeja, mjaltë të duket. Ore ke parë kështu. Një panine 10 lekëshe bleva një ditë e ktheva kurrizin të iki. Kur m’u turr shitësja sikur të kisha vjedhur dyqanin. “Po ku shkon, mor xhaxho qytetar? Merre kuponin tatimor se do të duhet…”. Eh, ç’qytetar jam unë qyqari! Fshatar i padalë… Ama fjalët e fundit sikur më shkundën nga dremitja; “…do të duhet?!”. Aa, më erdhi rehat, po vrava edhe mendjen sa gjumi s’më zinte atë natë. Ku të më duhet vallë, ë? Dridhesha e përdridhesha si ajo korrobacja kur bie në rrjetën e peshkatarit.

Po të nesërmen sikur po kthjellohesha. Ja, duke ndjekur haberet e sabahut, dëgjova se ishte arrestuar një berber që nuk i kishte dhënë klientit kuponin tatimor. Pas tij vinte lajmi tjetër; doli i pafajshëm një drejtor i madh banke ku u vodhën mbi 20 e ca metër kub lekë. Më shkoqur; një maune me lekë, po të gjitha prerje 50 mijëshe. Fundja, mirë bënë që e nxorën për dy arsye. E para, nuk futet në burg gjithë ai burrë për aq lekë dhe e dyta, nuk kishin, ku të fusnin berberin…  Ishallah thuaj, të ketë marrë me vete veglat, se mbase nxjerr ndonjë lekë, duke rruar e qethur “shkelësit” e ligjit atje në burg… Nejse, këtë e di drejtësia, që është e pavarur nga ata që e varin. Sidomos tashti që do bëhet dhe reforma…

Ditën tjetër isha esëll fare. Sapo u shpall një lotari për kuponin tatimor. Këtu u bëra pishman. Pse nuk i kisha mbledhur dhe unë ato dreq kuponë se, mbase kushedi… Le që mua më glasuan harabelat një ditë dhe nga ky “fat- kismeti” vetëm glasat më mbetën dhe të sharat e gruas në shtëpi. “Po ti o qyqar, pret sa të dhjesin të gjithë harabelat, pastaj vjen në shtëpi?”. Nga sikleti më nxori vetëm Selimi, “kundërshtari im politik”.

– Hajde me mua që të bësh hajër, o gjytyrym.

 Dhe ndoqa Selimin. Ai para, unë pas. Si bëmë një copë rrugë, u futëm te një supermarket i madh sa një fushë futbolli. Hajde karabina, hajde! Selimi, që ua ka marrë dorën këtyre punëve, i futi një buzëqeshje arkëtares së bukur. Pastaj u mbështet mbi banak. Ndërkohë unë bëra rolin e klientit false. E ç’të blija unë qyqari! Nejse. Ca nga sedra dhe ca që të mos lija shije të keqe, bleva një lëpirëse. Boll e kisha. Paradite e lëpin gruaja, mbasdite unë. Kur e pagova, arkëtarja bukuroshe ma ktheu reston mua, kurse kuponin tatimor ia dha Selimit. Nuk u zëmërova se shokë të ngushtë jemi, paçka që e kam dhe “kundërshtar politik”. Po nga brenda më griste ai krimbi i xhelozisë. Mos ju lëntë perëndia pa shokë si Selimi! Si me magji ma hoqi atë “krimbin”.

– Rri këtu, hajvan, që të mbledhim sa më shumë kuponë tatimorë, – më tha me zë të ulët. Ashtu bëra. Po në 10-15 copë 1 merrja unë, të tjerat Selimi. Ndërsa Selimi për orë mbushi xhepat, unë 3-4 copë dhe ato s’mbatja mend, ku i lashë; te banaku apo i futa në xhep. Jo, jo më duket i ngatërrova me biletat e autobusëve dhe i vërvita.

– Ti je hajvan,- m’u hodh në grykë Selimi,- unë kam mbushur dy trasta në shtëpi.

– E pse i do? Apo për lotari?

– Po qe për lotari, edhe mua glasat si puna jote më kanë rënë. Dëgjo ore, mos të na dalë sekreti. Kam kohë që nuk blej letër higjienike!…

E kuptova dhe qesha. Qesha dhe m’u kujtua një mesele. Thonë se një herë, shkrimtarit të njohur Kol Jakova i ishte qepur një kalemxhi nga ata që lozin domino. Kërkonte një vërtetim ku të thuhej se ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Po të merrte këtë vërtetim, përfitonte një dhomë shtesë e ca privilegje që i meritonin vetëm krijuesit e vërtetë. Kola, për ta hequr qafe dhe si usta, ia dha vërtetimin, po në fund shkroi fjalët: ”Ta përdorë kur t’i vijë nevoja…”. Mavrija nuk e kuptoi ironinë e ustait. Shkonte në këshillin e lagjes, te zyra e strehimit dhe kërkonte “të drejtat si krijues”. Po dhe në ato zyra kishte “ustallarë” që ia njihnin “gjuhën” usta Kolës. Dhe kalemxhiut i jepnin një përgjigje “diplomatike”.

– Duro more djalë, ty akoma s’të ka ardhur “nevoja…”.

Tashti unë me të dëgjuar e kam, por meqë e kanë dëgjuar edhe të tjerë këtë mesele, them se duhet të jetë e vërtetë.

Nuk e di pse m’u ngatërruan këta dreq kuponë që mblodhi Selimi, me atë palo vërtetim. Po t’i biesh hollë-hollë, një lidhje mes tyre është… I solla në mend këto “letra” në darkë, kur u ula të shoh lajmet. Haberi i parë; sherr i madh për atë mut reformë në drejtësi. “Po të kishin pak tru, nuk do ishim katandisur kështu…”, thashë me vete. Kur fap, dolën prapë ato lajmet e mëngjesit; “lirohet bankieri…”, “arrestohet berberi …”.

– O t’u thaftë dora,- bërtita, – pse nuk ia ngjite në lule të ballit “kopanin” tatimor?…

– Qepe sqepin, – m’u hodh gruaja, – se ta futa me kopanin e jorganit!…Apo do që të shkosh te berberi…

SHKARKO APP