Kopenhagen do të shpërblejë turistët e përgjegjshëm
Në Kopenhagë, turistët do të shpërblehen për sa kohë tregohen të përgjegjshëm. Kryeqyteti danez duket se po e përballon trendin e mbipopullimit nga turistët duke tentuar që të tërheqë udhëtarët e sjellshëm, të ndërgjegjshëm për mjedisin dhe shoqërinë. Bordi kombëtar i turistëve ka prezantuar një program për inkurajimin e sjelljes miqësore me mjedisin. Që prej së hënës, do të shpërblehen të gjithë ata që përdorin biçikletën, transportin publik ose merren me punë të vogla si kopshtaria apo mbledhja e mbeturinave përgjatë gjirit dhe në parqet e qytetit.
Ata që mbajnë filxhanë kafeje të ripërdorshëm mund të marrin pije falas në disa vende, ndërsa për raste të tjera të sjelljes së mirë përfshihet një kokteil në një bar në tarracë apo kohë shtesë në kompleksin artificial të skive.
Mikkel Aarø-Hansen, anëtar i bordit Wonderful Copenhagen tha se shpreson që ideja do të jetë frymëzim për qytetet e tjera ndërsa po kërkojnë një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie më simbiotike mes turistëve dhe vendasve.