Korrupsion në hipoteka, 500 euro për procedurë

Investigimi i emisionit “Ça thu..?!/Shefi i zonës 1 të ZRPP së Tiranës, kapet në flagrancë duke marrë rryshfet për shërbimin ndaj qytetarëve

Si zyra të ofrimit të një shërbimi mjaft të rëndësishëm ndaj qytetarëve, siç është ai i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, hipotekat jo në pak raste janë aluduar për ekzistencën brenda tyre të rasteve korruptive dhe të marrjes së rryshfetit nga ana e drejtuesve përkatës. Këtë herë, fjala është për një rast konkret, të konstatuar nga media, përmes të cilit është kapur në flagrancë vetë drejtuesi i njërës prej zonave të rëndësishme të Zyrës për Regjistrimin e Pasurisë së Paluajtshme (ZRPP). Konkretisht, pas një periudhe 3-mujore investigimi, emisioni  “ÇA THU…?!” i televizionit “Agon Channel” arriti të sjellë me pamje filmike ekzistencën e korrupsionit të hipoteka. Ku ka qenë pikërisht shefi i zonës 1 të ZRPP-së së Tiranës, Tan Tusha, kapur në flagrancë duke marrë shumën prej 500 eurosh, në këmbim të mbarimit të procedurave hipotekore ndaj një qytetari. Teksa ky i fundit, është sorollatur me muaj të tërë dhe arriti të gjejë një zgjidhje, vetëm pasi pagoi shumën prej 500 eurosh ndaj tij. “Numëroji po të duash, vetëm ma mbaro si punë të lutem”, shihet të flasë para kamerës së fshehtë qytetari ndaj zyrtarit të lartë të hipotekës, teksa pamjet tregojnë më tej sesi ky i fundit merr prej tij kartmonedhat prej 100 eurosh, në total 500 euro. “Nuk ke lënë njeri pa futur”, i drejtohet ai madje qytetarit, duke lënë të kuptohet sesa e vështirë ka qenë sipas tij, procedura që duhej të realizonte ai dhe për të cilën, qytetari para dhënies së këtijn rryshfeti, ka përdorur në fakt edhe futjen e personave të tjerë, në mënyrë që të mbaronte sa më parë punë. Por që mesa duket, ka patur si rrugëdalje të vetme dhënien e parave, në këmbim të mbylljes njëherë e mirë të tyre. Madje, zyrtari i lartë i hipotekave ka shkuar edhe më larg, duke e pyetur qytetarin direkt se “Sa të kanë kërkuar”, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se të gjithë kolegët e tij, kërkojnë rryshfet në këmbim të përfundimit të procedurave të hipotekimit të pasurive të paluajtshme. Histori kjo, e cila në fakt, të lë të mendosh se kjo nuk është aspak e vetmja që ndodh nëpër zyrat e hipotekave në rang vendi dhe kësisoj, përbën shkelje në kuadrin e ofrimit të shërbimeve të duhura dhe siç i përcakton ligji ndaj qytetarëve.

 

SHKARKO APP