Kosova çudit gazetën turke: Të parët në Europë që dorëzuan gylenistë
Në titullin “Agjencia Turke e spiunazhit, me ndihmën e Kosovës, kap gjashtë të dyshuar të lidhur me FETO” gazeta turke “Hurriyet” duke u thirrur në burimet e shërbimeve të sigurisë shkruan se gjashtë të arrestuarit me një avion special, nga ana e Organizatës Nacionale Turke të Inteligjencës MIT, janë sjellë nga Prishtina në Stamboll.
“Turqia për një kohë të gjatë bën përpjekje për ekstradimin e këtyre njerëzve, përfshirë edhe të vet liderit të FETO Fetullag Gulenit i cili është në vet-ekzil në Shtetet e Bashkuara, nga e gjithë bota. Disa qindra të dyshuar për lidhje me FETO tashmë janë sjell në Turqi si rezultat i bashkëpunimit politikë dhe të inteligjencës me shtetet si Sudani, Pakistani dhe Afganistani”, shkruan Hurriyet në gjuhën angleze, derisa citon një burim nga shërbimet turke të ketë thënë:
“Kjo shënon bashkëpunimin e parë ndonjëherë që rezultoi në sjelljen e të dyshuarve të FETO-s në Turqi nga Ballkani dhe nga kontinenti i Evropës. Mesazhi është i qartë se këto rajone më nuk mund të jenë zonë e sigurt për të arratisurit e FETO”.
E njëjta gazetë duke u thirrur në të njëjtët burime shkruan se ka pasur bashkëpunim mes Ministrive të jashtme dhe të drejtësisë të dy shteteve për këtë operacion, transmeton Koha.net.
“Duke nënvizuar nivelin e mirë të bashkëpunimit të inteligjencës me Kosovën, burimi rikujton një dialog të nivelit të lartë mes ministrive të drejtësisë dhe të punëve të jashtme të dy shteteve në kompletimin e këtij operacioni” shkruan Hurriyet.