Kosova dhe Shqipëria me treg të përbashkët të energjisë
Shqipëria dhe Kosova do të kenë grupe të përbashkëta pune pas themelimin e tregut të përbashkët energjetik.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri e ka nisur vizitën zyrtare sot në Prishtinë me një takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, gjatë të cilit thanë se “studimet që i kanë paraprirë këtij tregu të përbashkët të energjisë, kanë dëshmuar se themelimi i tij përpos që është teknikisht i mundshëm është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja shtetet”.
“Kosova ka kapacitete termike, kurse Shqipëria kapacitete hidrike. Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese në Kosovë dhe Shqipëri janë edhe domosdoshmëri e kohës, prandaj duke pasur parasysh objektivat tona për krijimin e një tregu të hapur e konkurrues, si dhe rëndësinë e iniciativave të bashkëpunimit rajonal për bashkimin e tregjeve kombetare, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë burimet më të lira të energjisë, po e themelojmë edhe tregun tonë të përbashkët të energjisë elektrike”, theksoi ministri Stavileci.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë themeluar edhe Komitetin Drejtues të përbashkët të udhëhequr nga ministritë përkatëse dhe të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.
Në këtë komitet të drejtë vote do të ketë ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, kryesuesi i Bordit të ZRRE së Kosovës, kryesuesi i Bordit të ERE së Shqipërisë, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT të Kosovës dhe administratori i OST të Shqipërisë. Ndërsa, pa të drejtë vote në përbërje të Komitetit Drejtues do të jenë edhe udhëheqësi i Departamentit të Energjisë i MZHE së Kosovës dhe udhëheqësi i Departamenti të Energjisë i MEI të Shqipërisë
Grupi punues për çështje ligjore/rregullative:
1. Përfaqësues nga MZHE – Sabit Gashi (Bashkë-kryesues);
2. Përfaqësues nga MEI – Enea Karakaci (Bashkë-kryesuese);
3. Përfaqësues nga ERE – Agim Nashi (Anëtar);
4. Përfaqësues nga ZRRE – (Anëtar);
5. Përfaqësues nga KOSTT- Resmije Ahma (Anëtare);
6. Përfaqësues nga OST – Ilda Neziri (Anëtare).
Grupi punues për çështje teknike/operative:
1. Përfaqësues nga KOSTT- Kadri Kadriu (Bashkë-kryesues);
2. Përfaqësues nga OST – Luan Aranitasi (Bashkë-kryesues);
3. Përfaqësues nga ZRRE – Rifat Blakaj (Anëtar);
4. Përfaqësues nga ERE – Agim Nashi (Anëtar);
5. Përfaqësues nga MZHE – Skender Xani (Anëtar);
6. Përfaqësues nga MEI – Agim Bregasi (Anëtar).
Grupi punues për çështje komerciale:
1. Përfaqësues nga ERE – Agim Nashi (Bashkë-kryesues);
2 . Përfaqësues nga ZRRE – (Bashkë-kryesues);
3. Përfaqësues nga KOSTT- Skender Gjonbalaj (Anëtar);
4. Përfaqësues i OST – Ana Moisiu (Anëtare);
5. Përfaqësues nga MZHE – Luan Morina (Anëtar);
6. Përfaqësues nga MEI – Edmont Gjokutaj (Anëtar).