Kosova diskuton për zgjedhjen e presidentit nga populli
Komisioni për Legjislacion i ka kaluar amendamentet e presidentes Vjosa Osmani për ndryshimin e mënyrës se si zgjidhet presidenti i vendit.
Pas një debati të nxehtë, amendamentet për ndryshime kushtetuese që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votat e popullit, u miratuan me 6 vota për dhe 2 kundër.
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike në opozitë e ka kundërshtuar mënyrën sesi është kërkuar të shqyrtohen amendamentet kushtetuese të presidentes Osmani për ndryshimin e mënyrës se si zgjidhet presidenti i vendit.
Lushaku, e cila po e zëvendëson Doarsa Kica- Xhelili si anëtare e Komisionit për Legjislacion, tha se “i kemi përkrahur edhe përmbajtësisht, në parim pajtohemi me përmbajtjen e amendamenteve, por në krizën politike që jemi sot kjo nuk është absolutisht një rrugëzgjidhje e natës së sotme dhe urgjencës në të cilën këto procedohen”.
“Reformat kushtetuese kërkojnë kohë, kërkojnë analizë dhe kërkojnë mirëfilli që të pozicionohemi në dobi të funksionalitetit tonë dhe jo me urgjencë të procedojmë me amendamentet për të cilat nuk kemi as minimumin e kohës për të diskutuar”, tha Lushaku.
Ajo tha se këto amendamente po procedohen “pikërisht në natën e sotme kur ne do të duhej t`i jepnim vendit presidentin e shtetit, e ne po diskutojmë për karakterin politik dhe ndryshimet kushtetuese që e ndryshojnë në parim sistemin tonë politik”.
“Dhe kjo nuk është zgjidhja”, shtoi ajo.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, vazhdon t’i kundërshtojë qëndrimet e anëtarëve të tjerë nga partia në pushtet për shqyrtimin e amendamenteve.
Ai thotë se procedualisht kjo nuk mund të bëhet sonte dhe iu ka kërkuar atyre më shumë kohë për t’i lexuar amendamentet.
Gruda, i cili vjen nga partia opozitare PDK, e akuzoi partinë në pushtet për “propagandë” lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

