“Kosova duhet të shkojë sërish në votime”, Feraj: Qeveria ishte viktimë e suksesit të saj
Përveç krizës së krijuar nga koronavirusi, Kosova po kalon edhe krizën e qeverisjes, pas rëzimit të qeverisë Kurti.
Aktivisti i Lëvizje Vetëvendosja, Hysamedin Feraj tha në një lidhje me skype për RTV Ora se qeveria e Kosovës ishte viktimë e suksesit të saj.
Qeveria e Kosovës tha Feraj menaxhoi me shumë sukses të gjitha situatat për një periudhë të shkurtër kohe, por suksesi i saj sipas tij ishte i papranueshëm nga elita e vjetër politike.
Hysamedin Feraj: Qeveria e Kosovës ishte viktimë e suksesit të saj. Jo vetëm në menaxhimin e kësaj sëmundje, por edhe në drejtimin dhe qeverisjen e gjithë vendit dhe në garantimin e shumë sukseseve të Kosovës në një distancë prej shumë pak ditësh. Në këtë situatë ajo e menaxhoi me sukses të madh edhe pandeminë, por suksesi i saj ishte i papranueshme për elitën e vjetër të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre në rajon.
Për Ferajn, e vetmja zgjedhje janë sërish zgjedhjet.
Hysamedin Feraj: Mendimi është se zgjidhja më e mirë është të shkohet edhe njëherë në votime, ti drejtohen popullsisë dhe votuesit dhe votuesi po arrin në përfundim se qeveritë e koalicionit nuk funksionojnë në të mirë të vendit. Provë që është dhënë gjatë këtyre 20 viteve dhe se elektorati po shkon drejt vendimit që ti ngarkojë përgjegjësinë e plotë një subjekti politik dhe për këtë ose ta shpërblejë ose ta ndëshkojë, pa e lënë mundësinë të shpërndahet përgjegjësia në një mori subjektesh që nuk merren vesh pastaj. Në këtë kohë zgjedhjet nuk mund të mbahen. Kurdo që të mbahen, kjo më duket rruga më e mirë. Tani për tani kjo qeveri do të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme.
Feraj tha se koalicioni me LDK që në fillim ishte i panatyrshëm.
Hysamedin Feraj: Koalicioni ishte i panatyrshëm që në fillim, por ishte rezultat i sjelljes së votuesve që në një farë kuptimi dhanë verdiktin e krijimit të një qeverie vetëm nëpërmjet koalicioni dhe jo nga një koalicion i vetëm.