Kosova mbetet prioritet në rrugën e Serbisë drejt BE

Serbia është vendi i parë kandidat për anëtarësim në BE, të cilin do ta vizitojë komisari për Negociata dhe Zgjerimin e BE, Johannes Hahn. Para nisjes për në Beograd (20.11) ai tha se BE-ja do të vazhdojë rrugën e zgjerimit. Njëkohësisht në qarqet diplomatike thuhet se Serbia aktualisht është "nxënësi më i mirë" në procesin e afrimit me BE-në. Në dy vitet e fundit Serbia e ka përshpejtuar procesin e afrimit me BE-në. Në këtë rrugë një kontribut të madh ka dhënë dialogu me Kosovën. Por dialogu dhe normalizimi i problemeve me Kosovën mbetet edhe detyra e parë në këtë rrugë. "Serbia duhet të vazhdojë t'i plotësojë detyrat e veta në këtë rrugë. Ndërsa shpejtësia e negociatave varet nga shpejtësia e reformave dhe vazhdimi i normalizimit të raporteve me Kosovën", theksoi Hahn.

Por as komisari për Politikat Rajonale konkretisht nuk mund të përgjigjet në pyetjen kur do të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Serbisë. Në BE ende nuk është arritur konsensus se kur do të hapet kapitulli i parë dhe cili do të jetë ai.

Së pari Marrëveshja e Brukselit, pastaj kapitujt?

Në rrugën e Serbisë drejt BE-së janë 35 kapituj. Në 22 kapituj ka përfunduar procesi i vlerësimit të gjendjes. Kapitujt më të rëndësishëm janë ata që kanë të bëjnë me reforma, sundimin e ligjit dhe liritë. Por në rastin e Serbisë më i rëndësishmi në fillim është kapitulli 35, që ka të bëjë me raportet me Kosovën. Pikërisht Gjermania është ajo që insiston që ky kapitull të hapet i pari dhe që të zbatohet Marrëveshja e Brukselit.

Lidhur me negociatat për anëtarësim vendosin të gjitha 28 vendet anëtare. Dhe nëse Gjermania e sheh këtë çështje si prioritet, atëherë ne duhet ta respektojmë këtë qëndrim, thotë Charles Tanok, europarlamentar britanik. Unë angazhohem për raporte më të mira mes Beogradit dhe Prishtinës. Aktualisht kemi probleme rreth krijimit të pushtetit në Kosovë. Gjermanët mendojnë se mund të punojmë vetëm mbi bazën e konsensusit. Ndërsa qeveria britanike është më fleksibël", pohon ai. Njëkohësisht në Bruksel i kanë hedhur poshtë pohimet se fillimi i negociatave me Serbinë varet nga raportet e saj me Rusinë.

Raportet mes Beogradit dhe Moskës nuk janë kusht

"Çdo vend e ka historinë e vet në raport me vendet e tjera. Ndaj standardet evropiane nuk mund të kopjohen dhe të zbatohen në të gjitha vendet njësoj. Me rëndësi është që e gjithë shoqëria të shkojë në rrugën evropiane. Ndaj ne duhet të intensifikojmë marrëdhëniet me Serbinë dhe ajo duhet të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Aktualisht kemi mendime të ndryshme sa i përket disa temave, por për këtë po vazhdojnë konsultimet", tha komisari Hahn. Në këtë mënyrë ai konfirmon qëndrimin e Brukselit se vendet kandidate duhet gradualisht ta harmonizojnë politikën e tyre me politikën e jashtme evropiane. Por me rëndësi është që drejt Serbisë të dërgohen sinjale se ajo vet duhet të vendosë se sa shpejt do të lëvizë në rrugën evropiane.

Në Bruksel nuk është ndonjë sekret, që aktivitetet e Serbisë në raportet me Rusinë po përcillen me vëmendje të madhe. Beogradi lavdërohet për rolin konstruktiv në procesin e afrimit me BE. Por njëkohësisht shtohet edhe brenga për shkak të pritjes madhështore të presidentit rus Vladimir Putin në Beograd.

SHKARKO APP