Kosova votoi për një Politikë të Re dhe për një Kryeministër të Ri

Nga Skënder S.Kapiti

Zgjedhjet në Kosovë treguan nivelin e lartë të pjekurisë dhe të mënçurisë politike  të votuesit në Kosovë, i cili  u soll dhe zgjodhi ashtu si votuesi amerikan dhe ai francez që votuan dhe zgjodhën  politikën e re dhe presidentët e rinj, duke ndëshkuar politikat e vjetra apo elitat dhe establishmentin politik.

Pra ashtu si në SHBA ku fitoi Lëvizja e Donald TRUMP dhe në Francë ku fitoi “Marshimi” i Emmanuel MACRON, edhe në Kosovë fitoi  Lëvizja “Vetëvendosja”e Albin KURTIT, ku zgjedhesit në Kosovë votuan për një Politikë të Re dhe për një Kryeministër të Ri, pra për një politikë dhe për një qeverisje ndryshe. Arsyet se përse shqiptarët në Kosovë e votuan “Vetëvendosjen” si forcë të parë politike janë këto:

1-Partitë  politike ,PDK dhe LDK, e kanë sunduar skenën politike në Kosovë që nga Çlirimi i saj e deri më sot, dhe kjo, por sidomos bashkëqeverisja e tyre e fundit i diskreditoi dhe i konsumoi së tepërmi të dyja ato parti, pasi dështuan në luftën kundër krimit dhe  korrupsionit;  dështuan në ndërtimin e demokracisë dhe  “shkelqyen”në mosfunksionimin e saj dhe te ligjit, gjë e cila bëri të kundërtën: instalimin e korrupsionit në sistem.

2- Atyre u munguan kapacitetet politike, juridike, intelektuale, profesionale, diplomatike dhe patriotike; si dhe iu mungoi përgjegjësia, përkushtimi dhe vullneti politik për ndërtimin e një shteti ligjor modern dhe me standarte demokratike, gjë e cila bëri të mundur edhe mosliberalizimin e vizave për në BE.

3-Dështuan në aspektin e ndërtimit të një sigurie dhe mirëqënie ekonomike dhe përkujdesjeje sociale dhe punësimi gjë e cila rezultoi me eksodin e madh të qytetarëve nga Kosova drejt BE-së.

4- Politikës apo elitës politike që e dominoi Kosovën iu konsumuan të gjitha akrobacitë e pazaret e politikës së interesit personal, nepotik, klientelist  e klanor si dhe të gjitha mashtrimet e gënjeshtrat politike e publike.

5- Politikën PDK-LDK e diskredituan dhe dy marrëveshjet me dëm të jashtëzakonshëm të prestigjit dhe të interesit kombëtar si: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Marrëveshja për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, duke u ekspozuar kështu edhe si një politikë kundërpatriotike.

6- Votuesi kosovar votoi për një politikë të re, për klasën e mesme, për një rrugë të mesme kundër monopoleve  korruptive politiko-ekonomike dhe polarizimit të shoqërisë në një pakicë të pasurish dhe një shumice të varfër dhe të papërkrahur; populli i Kosovës votoi për një politikë antikrim dhe antikorrupsion.

Pra, votuesit në Kosovë ndëshkuan politikën e vjetër e të dalë tashmë jashtë mode, ndëshkuan politikën e parazitizmit; politikë e cila u ndëshkua për mungesën nga ana e saj të disiplinës dhe respektit ndaj parimeve dhe vlerave kombëtare dhe demokratike. Dhe prandaj publiku   ia besoi kështu politikën dhe qeverisjen një politike të re, asaj të “Vetëvendosjes” dhe Albin Kurtit  e cila ka bërë gjatë gjithë kohës një opozitë të fortë, reale, të sinqertë me popullin dhe që ka pasur guximin dhe kurajon  për të thënë të vërtetën  dhe për ta mbrojtuar atë, si dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, të shtetit dhe interesin kombëtar.

Ajo gjithnjë ka kërkuar ndërtimin e shtetit ligjor, demokracinë dhe kombëtarizmin; për të  bërë reformimin e shtetit dhe të shoqërisë me reforma moderne dhe reale; duke u përballur guximshëm me politikën e pushtetit i cila ka përdorur përveç të tjerash kundër saj edhe dhunën, edhe hipokrizitë: që dështimet, gabimet dhe fajet e veta t’ua faturonte atyre të cilët nuk kishin faj, pra opozitës ,”Vetëvendosjes”.

Këto i konstatoi votuesi në Kosovë dhe prandaj votoi patriotizmin real, ndryshimin, të renë dhe perspektivën, ligjin dhe demokracinë, pra “Vetëvendosjen”, e cila ka treguar se: si të parin parim dhe premtim ajo ka interesin publik dhe atë kombëtar.

Skënder S.KAPITI Durrës, 14 06 2017

SHKARKO APP