KQZ-partive: Vonesa me trajnimin e nëpunësve komisionerë në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shprehur shqetësimin lidhur me problemet dhe vonesat e shkaktuara në trajnimin e komisionerëve për zgjedhjet e 25 qershorit.
Përmes një letre, KQZ i drejtohet Kryeministrisë dhe partive politike se komisionerët që janë nëpunës në administratën publike, nuk paraqiten në detyrë për të marrë direktivat e organizimit të procesit elektoral.
“Komisionerët të cilët nuk kanë marrë leje nga institucionet përkatëse nuk po paraqiten në detyrë. Për ketë shkak, KZAZ nuk po respektojnë orarin e punës të përcaktuar në Udhëzimin nr. 2 datë 25.02.2000”, thuhet në letrën e KQZ.
KQZ thotë se nëse kjo situatë problematike e krijuar vijon rrezikohet organizimi i procesit zgjedhor.
“Nëse kjo situatë problematike e krijuar vetëm për 720 komisionerët e KZAZ-ve, vijon edhe për rreth 37 mijë komisionerët e KQV-ve dhe GNV-ve rrezikohet organizimi dhe administrimi i procesit zgjedhor të datës 25 qershor 2017”-thuhet ne letrë e KQZ drejtuar partive.