KQZ, Zguri: Numërimi të mbyllet deri në orën 22:00, të respektohet afati

Kreu i KQZ-së Klemend Zguri, në një konferencë për shtyp të pak minutave më parë, u bëri sërish thirrje të gjithë komisionerëve të ZAZ-ve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit të votave, që të angazhohen për mbylljen e numërimit për rezultatin e zgjedhjeve.

Thirrja e fundit vjen në përmbyllje të afatit ligjor për shpalljen e rezultateve të votimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, që është ora 22:00 e ditës së sotme.

Zguri theksoi gjithashtu se KQZ-ja është në krah të komisionerëve e do të plotësojnë çdo kërkesë të tyre që përshpejton mbylljen e numërimit të çdo vote.

Kjo, sepse sipas tij “në këto zgjedhje, ata kanë mundësinë të tregojnë se në Shqipëri mund të votohet dhe numërohet me profesionalizëm dhe në transparencë të plotë. Kanë mundësinë të sigurojnë një standard të ri, atë të mbylljes së procesit brenda afateve të parashikuara nga ligji”.

Kryetari i KQZ-së, ndërkohë, paralajmëroi gjithashtu se numërimi i votave është një proces i pandalshëm dhe duhet të vijojë deri në leximin e votës së fundit të hedhur në kuti nga qytetarët shqiptarë. “Përmbyllja e këtij procesi u shërben edhe vet subjekteve në këtë garë elektorale”, tha ai.

 

SHKARKO APP