Krahasimi i PBB të Shqipërisë me BE/ Të parët për peshën e bujqësisë dhe ndërtimit, ndër të fundit për industrinë dhe informatikën
Teksa për vitin 2016, sektori i industrisë vijoi të mbajë rolin kryesor të ekonomisë së Bashkimit Europian, për Shqipërinë ai renditet vetëm i treti pas bujqësisë dhe tregtisë. Në fakt në vendin tonë, industria zë vetëm gjysmën e pjesës që zë në vende si Gjermania, Hungaria, Polonia, Slovakia apo Serbia dhe renditemi të parafundit të Europë, mes Maltës dhe Greqisë.
Produkti i Brendshëm Bruto i vendit është i ndikuar më së shumti nga bujqësia, pylltaria dhe peshkimi, të cilat përbëjnë 22.9% të tij. Nëse e vendosnim këtë shifër përballë vendeve të tjera të Europës, Shqipëria jo vetëm klasifikohet si më e varura nga bujqësia, por në vendin e dytë që e ndjek, Kosova, ky sektor përbën vetëm 13.4% të PBB-së.
Kjo mund të shërbejë edhe si një tregues i zhvillimit të një vendi, pasi 10 vendet e para zihen nga shtetet më të varfra, që i takojnë Ballkanit. Në anën tjetër të këtij klasifikimi qëndrojnë vende si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo Zvicra, ku bujqësia zuri në vitin 2016 vetëm 0.6% të produktit të brendshëm bruto.
Krahas të qenit të parat për peshën e bujqësisë, Shqipëria ndan me kandidatet për në BE edhe renditjen për ndërtimin. Me 10,5% të PBB-së, vendi ynë e klasifikon këtë listë, ndjekur nga Turqia, Maqedonia dhe Kosova, me përkatësisht 9.7%, 8.6% dhe 8.2% të PBB. Nëse do të duam të japim karakteristika të vendeve ku ky sektor zë një pjesë të rëndësishme, mund të themi se ato kanë lidhje me investimet publike në infrastrukturë dhe hovin e ndërtimeve të reja tregtare.
Në rastin e Shqipërisë mund të themi se bëhet fjalë vetëm për vepra të infrastrukturës, pasi aktivitetet e real estate zënë vetëm 6,7%, ndryshe nga tre vendet e tjera ku pesha varion nga 8.8-11.8%.
Vendet e Ballkanit renditen të fundit edhe për peshën që zë administrata publike, mbrojtja, edukimi dhe puna sociale. Nga ana tjetër e kësaj liste janë vendet nordike, Franca dhe vendet e ulëta.
Sa i takon tregtisë, Shqipëria gjendet në një pozicion të favorshëm, përkrah vendeve si Mbretëria e Bashkuar. Në ekstreme gjendet Lituania dhe Irlanda, ku sektori i shitjeve zë përkatësisht 32.2% dhe 12.6% të PBB-së.
Në sektorin e teknologjive të informacionit, Shqipëria dhe Turqia gjenden shumë prapa zhvillimit europian. Në produktin e brendshëm bruto, kjo fushë zë vetëm 3.3%, shumë larg liderëve si Irlanda, apo Suedia me 9.8% dhe 7.4%.
Në Shqipëri zë një vend të vogël po ashtu edhe ndikimi në PBB i sektorit financiar dhe të sigurimeve, i cili zuri vetëm 2.7%. Kjo nuk varet nga zhvillimi i vendit, aq sa varet nga kultura e popullsisë, sidomos në sigurimin e aseteve.
/SCAN