Krahasimi mes vendeve kandidate – Indikatorët makroekonomikë sipas Brukselit
Në krahasim me ato vende të cilat Bashkimi Europian i cilëson si kandidate për t’u anëtarësuar në union, në terma të rritjes ekonomike, Shqipëria rezulton vendi me rritjen e dytë më të shpejtë, pas Turqisë, ekonomia e së cilës është rishikuar në rritje të ndjeshme, me 2.3 pikë përqindje në krahasim me raportin e kaluar të Brukselit.
Kjo vlen edhe për këtë vit, edhe për atë të ardhshëm. Serbia projektohet të rritet me një normë pranë 2% këtë vit, dhe 3.3% vitin e ardhshëm.
Maqedonia projektohet të rritet me 1.7% këtë vit dhe 2.7% vitin e ardhshëm, Mali i Zi 3.9% dhe 3% respektivisht, dhe Turqia 5.3% këtë vit dhe 4% vitin e ardhshëm.
Sa i përket vitit 2019 ndërkohë, rezulton se, Shqipëria do të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë mes vendeve kandidate, por edhe atyre potencialisht kandidate.
Sa i përket një tjetër indikatori makroekonomik, normës së papunësisë, rezulton se, Shqipëria është më mirë se Maqedonia dhe Mali I Zi, por lehtë më dobët se Turqia dhe Serbia, si për këtë vit, si për atë të ardhshëm.
Në drejtim të eksporteve ndërkohë, Brukseli thekson se, Shqipëria do të jetë vendi me rritjen me të shpejtë vjetore, për 2017 duke i tejkaluar me radhë të gjitha vendet e tjera kandidate, me përjashtim të Serbisë, ku projektohet që eksportet të rriten me të njëjtat ritme si në vendin tonë, me 10.3%.