Krapi ka cof! Mishi ka dek!
-Kujdes shoku Mitro! Përtypi materialet si njeri, dhe mos i ripërtyp si bagëti, për t’i treguar në pazar. Mos kuvendo as me gruan?!
Por një natë, unë ja hapa barkun gruas. E bëra këtë mëkat, thjeshtë nga dashuria… Ishte mes shkurti 1983. Mes “Buletinit të Verdhe” gjeta një artikull për Shën Valentini. E këndova dy herë për ta fiksuar në tru. U ktheva vonë në shtëpi dhe ja tregova Ezmerkës:
-Në Romë kanë jetuar dy Valentinë. Njeri prift. Tjetri peshkop. Prifti jetoi në shekullin e tretë. Peshkopi në shekullin e katërt. Kishin tre gjëra të përbashkëta. Emrin: Valentin. Vdekjen më 14 shkurt. U vranë në Romë, në rrugën Flamini. Një ditë, peshkopi ose prifti Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit, dy të rinj që po grindeshin. Pasi dëgjoi bisedën, njeriu i Perëndisë këputi dy trëndafil dhe doli nga kopështi. Një trëndafil ja dha djalit. Tjetrin vajzës. Kaq mjaftoi dhe vendin e sherrit e zuri dashuria…
Me kalimin e viteve, bëmat e priftit dhe peshkopit u shkrinë në një legjendë… Në vitin 498 papa Gelasio, e konsideroi 14 shkurtin si festën e Shën Valentinit, ditën e të dashuruarve. Por i thashë zonjës:
-Në “Ditën e të dashuruarve” dhurohen vetëm trëndafila ose burri i jep gruas një darkë në restorant. I blen një palë këpucë allafrënga.
-Kam një ide,- më thotë Ezmerka.-Nesër është e diel. A nuk shkojmë në Shkodër të hamë një tavë karapi? Ta llogaris si dhuratë për 14 shkurt…
Në orën 14 zumë vend në një lokal karshi “Kafes së Madhe”. U bëmë katër çifte. Mes tyre edhe Tano Banushi, miku im dhe fis me zonjën. Mbi tavolinë kishte turshi, djath, qepë, byrek, vishnjak, raki. Mbushëm gotat.
-Fillojmë,- thashë unë,- sa të bëhet tava e krapit…
Shkodranët panë njeri tjetrin në sy. Tano Banushi mori gotën dhe tha:
-Gëzuar! Krapi ka cofur. Mishi ka dek… Gjërat mbi tavolinë i sollëm nga shtëpia. Për qejf.