Kredia 53 mln euro, FMN dritë jeshile Shqipërisë për ti marrë

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka hapur Shqipërisë dritën jeshile për të tërhequr kredinë prej 53 milion eurosh. Duke njoftuar vendimin, Ministria e Financave thotë se kjo vjen si rezultat i angazhimit serioz për të çuar përpara reformat strukturore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar njëherazi rishikimin e dytë dhe të tretë të marrëveshjes së nënshkruar më qeverinë shqiptare, duke i hapur rrugë kështu tërheqjes së menjëhershme të kredisë prej 53 milionë eurosh.

Vendimi është marrë më 20 shkurt nga Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa është bërë i ditur sot nga Ministria e Financave përmes një njoftimi për median, ku nënvizon se: “Vendimi i mësipërm vjen si rezultat i angazhimit serioz të autoriteteve shqiptare për çuarjen përpara të reformave strukurore të rëndësishme në fusha si ajo taksave, e energjisë, e pensioneve, e shlyerjes së pagesave të prapambetura”.

Po ashtu Ministria vlerëson se politikat fiskale, të ndjekura për reduktimin e rreziqeve që vijnë nga niveli i lartë i borxhit publik, kanë krijuar gjithashtu premisa për një kuadër të favorshëm makroekonomik, që mundëson rigjenerimin e ekonomisë drejt normave më të larta të rritjes dhe punësimit.

Miratimi i kredisë prej 53 milion eurosh për qeverinë shqiptare u paralajmërua në nëntor të vitit të kaluar nga, përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Llahi gjatë vizitës në Tiranës.

SHKARKO APP