Kredia e butë, eliminohen 1200 familje
Rreth 1200 familje, që kanë aplikuar për të përfituar nga programi i Bashkisë së Tiranës për subvencionimin e interesave të kredisë, janë s’kualifikuar gjatë shqyrtimit të dokumentacionit. Deklarata vjen nga nënkryetarja e këtij institucioni, Brunilda Paskali, e cila thotë se, këta aplikantë kanë pasur probleme me plotësimin e dokumentacionit apo me kufirin e të ardhurave.
“Sot ne mund të themi numrin ekzakt të aplikimeve totale për në Bashkinë e Tiranës për këtë program që është 2265. Të gjitha këto aplikime janë parë nëse plotësonin të gjitha kërkesat që ka pasur projekti. Dhe mbas shqyrtimit të kërkesave doli që afërsisht rreth 1200 aplikime nuk kanë pasur të plotë dokumentacionin ose kanë pasur mungesa apo kanë dal mbi apo nën limitet e të ardhurave që kërkon projekti. Ndërkohë që një pjesë tjetër, rreth 580 aplikime kanë kërkuar edhe një rishikim nga ana juridike të dokumentacionit, për të parë”.
Sipas Paskalit, pavarësisht se programi i bashkisë parashikon subvencionimin e 1000 familjeve, në rast se do të ketë më tepër aplikime që plotësojnë kriteret, ato do të futen në listë pritjeje.
“Nëse kemi më shumë se 1000 mijë aplikime që plotësojnë kushtet, natyrisht në do ti fusim në bazë të një pikëzimi që ka projekti ynë, edhe pjesa tjetër që kalon në listë pritje. Sepse mund të ndodh që banka për arsye të ndryshme mund të mos miratojë një kërkesë për kredi të butë, dhe kështu lista do të zbres më poshtë”. Miratimi i listës me familjet përfituese do të bëhet në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, që sipas Paskalit pritet të jetë në harkun kohor të 3 javëve.
“Ne mendojmë që do bëhet një mbledhje e këshillit bashkiak së afërmi, ndoshta në harkun kohor edhe brenda muajit korrik ose fillimin e muajit gusht. Ku mendohet që të paraqitet që mbas miratimit të dokumentacionit të çohen për miratim në këshillin bashkiak”.
Kriteret
Sipas relacionit të Bashkisë së Tiranës, në periudhën 1 janar-31 dhjetor 2016 janë dorëzuar 1 800 kërkesa për programet sociale të strehimit për kredi të buta të mbuluara nga pushteti qendror, ndërsa pjesa tjetër janë shtuar në periudhën maj-qershor, kur u rihapën aplikimet. Nisur nga interesi i lartë i qytetarëve, bashkia hartoi një program specifik tërësisht me buxhetin e saj për këtë qëllim, me kohëzgjatje 1- vjeçare, për individët dhe familjet që nuk janë në gjendje të përballojnë ofertën e tregut të lirë për banesa ose atë të kredive hipotekore.
Përfituesit potencialë të programit do të jenë individë/familje me përbërje çiftet e reja. Programi do të ketë një kohëzgjatje 1-vjeçare dhe numri i përgjithshëm i përfituesve të cilët do të mbështeten financiarisht nuk do t’i tejkalojë 1000 familjet. Koha që kanë në dispozicion qytetarët për të aplikuar është një vit, pasi angazhimi financiar i Bashkisë së Tiranës në zbatim të këtij projekti do të ketë një kohëzgjatje 15-20 vjeçare, në varësi të kredive hipotekore të akredituara për secilin përfitues.
Masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuar nga ky program, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes me bankën, me interesin 3% që paguan familja mbi principalin e kredisë. Nëse i referohemi të ardhurave sipas numrit të anëtarëve të familjes për aplikim, për një familje me 1-3 anëtarë, kufiri maksimal i kreditimit është 3.565.000 lekë, ndërsa të ardhurat minimale janë 39.546 lekë, të ardhurat maksimale janë 82.064 lekë.
Norma e interesit, ashtu siç dhe është deklaruar më herët nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të jetë objekt i hapur i konkurrimit ndërmjet bankave, ndaj në përllogaritje është përdorur mesatarja e normave të publikuara në sistemin bankar në momentin e planifikimit, prej 5.5% (tribor +2.5%)./Shekulli/