Kredia për individë arrin në 12% të PBB-së

Portofoli i kredisë për individë është rritur me 2.1 miliardë lekë në tremujorin e tretë të vitit. Sipas analizës së tendencave në kreditim, nga Banka e Shqipërisë, rritja është përshpejtuar në 6.8%, nga 6.5% që kishte qenë në tremujorin e dytë.

Tashmë, kredia për individë ka arritur në rreth 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për një vlerë totale prej rreth 168 miliardë lekësh. Rritja e kredisë për individë në tremujorin e tretë është mbështetur më shumë nga kreditimi për blerjen e banesave. Ky portofol shënoi përshpejtim të ritmeve të rritjes në 4.5%, përkundrejt 3.9% të shënuar në tremujorin e dytë.

Sipas bankave, ecuria më e mirë e këtij portofoli vjen nga kërkesa e shtuar të individëve për të investuar në tregun e banesave dhe ofertat e leverdisshme të bankave për këtë produkt. Gjithashtu, bankat shprehen se një ndikim pozitiv në ecurinë e këtij portofoli kanë dhënë edhe projektet e pushtetit vendor për subvencionimin e interesave të kredive për banesa për çiftet e reja.

Edhe kredia konsumatore shënoi ritme të larta rritjeje në 12.4%, e mbështetur si nga lehtësimi i mëtejshëm i kushteve të kreditimit. Kushtet e bankave për këtë kredi, prej disa vitesh, janë në prirje lehtësuese dhe pesha e kredisë për konsum ndaj totalit të kredisë për individë është në një trajektore rritëse prej më shumë se dy vitesh.

Në fund të muajit shtator, kredia për konsum përbënte afro 30% të kredisë për individë përkundrejt, 28.4%, që shënonte një vit më parë.

SHKARKO APP