Kreditimi i bizneseve – Raporti i BSH, kryeson tregtia, rritet ndërtimi
Portofoli i kredisë për biznese në tremujorin e dytë 2017 ka shënuar rritje vjetore mesatarisht rreth vlerës 2 %.
Sipas një raporti të publikuar nga Banka e Shqipërisë, rritja e kredisë për biznese është mbështetur nga kredia dhënë për qëllime investimi, e cila ka balancuar edhe kontributin negativ të kredisë për likuiditete.
Kështu referuar të dhënave të këtij raporti, portofoli i kredisë për biznese të bankave dominohet nga kreditimi për sektorin e tregtisë, hotele, restorante, me 43.5% të totalit. Sektori i dytë më i kredituar është ai i industrisë, i cili tërheq 26.4% të financimit të biznesit privat.
Sektori i ndërtimit dhe ai i bujqësisë përfaqësojnë përkatësisht 13.6% dhe 1.5%. Struktura e kredisë për biznese gjatë tremujorit të dytë ka mbetur gjerësisht e pandryshuar nga ajo e një tremujori më parë.
Ndërkohë, dinamika afatshkurtër e portofolit të kredisë sipas sektorëve ekonomikë , tregon se bankat kanë rritur kreditimin e bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve të tjera me rreth 1.8 miliardë lekë për secilin sektor.
Ndërkohë që kredia për industrinë dhe bujqësinë është tkurrur, kredia për tregtinë ka shfaqur një rritje të lehtë. Gjatë tremujorit të dytë është vënë re përmirësim i ritmeve vjetore të rritjes së sektorit të ndërtimit në 4.8% dhe sektorit të shërbimeve të tjera në 1.5%, ndërsa kredia për industrinë është tkurrur me 1%.
Sipas analizës së specialistëve të Bankës qendrore, dinamika e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë është përgjithësisht në linjë me të dhënat sektoriale për aktivitetin ekonomik.