Kreditimi i bujqësisë, fondi i garancisë, skemës së qeverisë i bashkohen 4 banka

Medi Isa nga Kolonja merret prej 25 vitesh me blegtori. “Blegtorinë e kemi trashëgimi nga gjyshi dhe nga plaku. Jemi munduar që ne t’i shtonim, kemi filluar me 70 krerë dhe arritëm në 300 krerë sepse është zonë malore. Qumështin, fillojmë në muajin mars deri në gusht, e çojmë në fabrikën e qumështit në Ersekë, jemi të kontraktuar atje”, shprehet blegtori.

Isa është ndër blegtorët e parë që ka marrë një kredi për të zgjeruar aktivitetin e tij, duke përfituar një normë interesi më të ulët, nga fondi i garancisë së qeverisë.

“Menduam, me qenë se kemi këtë blegtori dhe tokë të blinim një traktor, menduam të merrnim një kredi….këstet iu kemi zgjedhur sipas sezoneve të prodhimi, nuk i kemi mujore”, shprehet Isa.

Qeveria thotë se deri më tani, skemës i janë bashkuar 4 banka dhe 2 institucione financiare jo banka, të përzgjedhura nga BERZH.

“Formalizimi është kusht që duhet ta kesh nëqoftësë është kredi për çështje të blegtorisë duhet të jenë kafshët e matrikuluara dhe nëse është për bujqësi duhet të kesh niptin e fermerit. Është një institucion mikrokredie që ka filluar që në muajin korrik. Normat e interesit janë mesatarisht 10 pikë më të ulta”, shprehet Roni Telegrafi, zv.Ministër i Bujqësisë.

Rritja e garancisë në banka sjell uljen e rrezikut dhe për pasojë edhe të normave të interesit për këto kredi. Por megjithëse marrja e kredisë sot për fermerët është lehtësuar si proces, sërish kreditë mbeten me interesa jo lehtësisht të përballueshme për fermerët./TCh/

SHKARKO APP