Kreu i Organizatës Botërore të Turizmit: Shqipëria, ndryshime të dukshme

Shqipëria është pjesë e një prej panaireve më të rëndësishëm të turizmit në botë, atë të “World Tavel Market” në Londër. Përmes stendës së saj MZHETTS dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantojnë Shqipërinë Turistike përmes fotove dhe videove ku shfaqen bukuritë  natyrore dhe traditave kuturore e historike.

Janë 15 tur operatorë nga Shqipëria të cilët po marrin pjesë në këtë panair. Tematika e këtij panairi, ku marrin pjesë mbi 5000 egzibitorë nga 182 shtete dhe mbi 50.000 vizitorë, është promovimi i turizmit dhe udhëtimet.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj. Milva Ekonomi e pranishme në këtë panair thotë, se “për Shqipërinë natyrisht që është një ngjarje shumë e rëndësishme, jo vetëm për turizmin, por edhe për sipërmarrjen turistike, sepse në Europë janë dy panaire të mëdha, ai i Berlinit dhe ky i Londrës ku ne marrim pjesë. Por, ky nuk është vetëm për Europën, është dhe më i gjerë sepse është një panair mbarë botëror pasi ke mundësi si një operator turistik nga Shqipëria të kontaktosh jo vetëm me operatorët nga Europa, por edhe nga operatorë që vijnë nga vende shumë të largëta. Ka shumë mundësi për ta prezantuar Shqipërinë turistike dhe mënyrat se si mund t’i përqasësh ose mund t’i afrohesh asaj, dhe për të kuptuar më mirë ofertat që vijnë nga sektori i sipërmarrjes turistike” u shpreh ministrja Ekonomi.

Krah këtij panairi të Londrës, ministrja Ekonimi tha se “duhet të mendojmë që ka nevojë dhe për shtrirje të tjera gjeografike në pjesëmarrjet e panaireve ku përveç Berlinit edhe Londrës, të mund të shikohet mundësia për panaire që ofrojnë turistin që vjen nga vendet e Lindjes, si për shembull Rusia, Ukrahina, Japonia, Kina, apo dhe vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, apo të tjera zona që kanë interes për kulturën shqiptare dhe për atë që Shqipëria shfaq si vend i panjohur deri më tani”.

Ministrja Ekonomi gjatë qëndrimit në Londër zhvilloi një takim dhe me Kreun e Organizatës Botërore të Turizmit, z. Rifai Taleb, të cilin e njohu me zhvillimet më të fundit dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për t’i dhënë këtij sektori mbështetjet dhe vizionin e duhur. Z. Tabeb u shpreh se “rritja e ndërgjegjësimit për turizmit është e rëndësishme dhe natyrisht sjell ndryshimin”.

Pas takimit me ministren Ekonomi, kreu i Organizatës Botërore të Turizmit dha këtë koment.

“Unë e kam vënë re se ndryshimet në turizëm janë qartësisht të dukshme. Pata një takim shume produktiv me ministren Ekonomi. Kur për herë të parë vizitova Shqipërinë të flisje për turizmin nuk ishte diçka krejt e natyrshme.  Ndërsa sot shqiptarët besojnë në të. Kryeministri është një mbështetës i fort i këtij sektori. Turizmi është sektor prej impaktit të të cilit përfitimet do të jenë të mëdha në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit. Shqipëria është duke u marrë seriozisht me turizmin dhe unë jam i impresionuar nga biseda me ministren pasi qartësisht më tregoi planet se cfarë duhet bërë. Unë besoj se për aq kohë në vendin tuaj ka një vullnet politik që është e rëndësishme për zhvillimin e turizmit mendoj se jeni në rrugë të mbarë. Të tjerat pastaj janë thjesht detaje. Fola me ministren për zhvillimin e konektivitetit dhe për shtimin e fluturimeve drejt Tiranës. E mirëprita propozimin e ministres Ekonomi për të parë sëbashku draftin e strategjisë kombëtare në turizëm. Shqipëria ka shumë se çfarë të ofrojë. Gjëja më e rëndësishme që keni është kultura. Mënyra e mikëpritjes tuaj është unike. Jam shumë shumë optimist për të ardhmen e turizmit në Shqipëri”.

Në stendën e Shqipërisë, ministrja Ekonomi bashkëbisedoi edhe me përfaqësues të BBC World, Travel Channel, Euronews dhe BlueGuide të cilët shprehën interes për të promovuar turizmin shqiptar.

SHKARKO APP