Krimet e komunizimit, Basha: Historia e diktaturës nuk duhet të përsëritet
Në 70-vjetorin e pushkatimit të deputetëve nga regjimi komunist, Kuvendi i Shqipërisë po mban paraditen e së martës një seancë përkujtimore. Pas fjalës së Kryeministrit, e mori fjalën kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili deklaroi se ndihej “i turpëruar” që edhe pas 70 vjetësh, ishte ende në një Kuvend që drejtohet nga pjesë të asaj klike kriminale.
“Të nderuar familjarë të deputetëve të martirizuar. 70 vite më parë regjimi komunist i Hoxhës pushkatoi grupin e deputetëve të fundit opozitar në sallë. I vrau se mendonin ndryshe, sepse nuk u pajtuan me komunizmin me vdekjen e pluralizmit. Kësaj shoqërie i mbahet e fshehur një vërtetë e madhe. Komunizmi u instalua me dhunë dhe me gjak. Sot ndihem fajtor, si deputet, politikan dhe kryetar i PD, që nuk kemi dënuar krimet e komunizmit, për të penguar eksponentët e komunizmit që të mos jenë në jetën politike. 70 vjet pas vrasjes së deputetëve ndihem i turpëruar që jam në një kuvend që drejtohet nga një njeri që ishte pjesë e asaj klike. Ky është dështim. Infrastruktura e sigurimit të shtetit (Shtëpia e Gjetheve) është kthyer në tërheqje turistike dhe nuk ka asnjë monument për viktimat e komunizmit dhe sot duhet të zotohen që kjo duhet të ndryshojë dhe ka ende shumë që mund të bëjmë”,-tha Basha.
Ai ka bërë me dije se, PD do të kërkojë që në buxhetin e vitit të ardhshëm të përfshihet një fond për dokumentimin e historisë së krimeve komuniste. “Historia e dhimbshme e diktaturës nuk duhet të përsëritet kurrë më. Ne duhet ta ndalojmë me çdo kusht e çdo çmim këtë gjë”, ka thënë Basha.