Krimi, shoqëria dhe rreziku i “çmendurisë sociale”…

Nga Gëzim Tushi/Po pse duhet të shqetësohemi madje të alarmohemi për situatën realisht të  agravuar të krimit në shoqërinë tonë? Si duhet t’i dalim përballë kësaj të keqeje sociale? Çfarë duhet të bëjmë për të zvogëluar përmasat e frikshme të tij, pse jo edhe për ta frenuar atë?  Këto pyetje të natyrshme i bëjnë shqiptarët çdo ditë me veten e tyre dhe me shoqërinë në tërësi. Dhe kjo është e natyrshme sepse sipas mendimit tim, ne si shoqëri tashmë jemi në situatën kur krimi në shoqërinë tone, jo vetëm është zgjeruar në sasi, intensifikuar si “cilësi” por dhe përhapur dëndur gjeografikisht kudo në qytet dhe fshat, në zona dëndësisht urbane dhe ato periurbane e rurale . Në këto rrethana duhet të jesh qytetar plotësisht i verbër, që të mos shikosh të vërtetat e jetës sonë të përditshme të lidhura me pasojat e zgjerimit të krimit dhe situatave që e gjenerojnë atë.

Krimi sot në Shqipëri është bërë kaq  dukuri sociale banale, statistikisht kaq e shumë e shpeshtë dhe fenomen kaq shumë i dëndur, sa që në perceptimin public e mediatik duken si gjëra të zakonshme dhe të natyrshme për një “shoqëri të lirë”. Kjo për fat të keq ka filluar të ndikojë në psikologjinë tonë sociale, madje të ketë forcë sociale që në mënyrë paradoksale po shpie në deformimin e perceptimit social e qytetar të dëmeve të pallogaritshme të krimit saj në jetën tonë urbane, dhe për pasojë me efektet e saj shkatërruese e destruktive të rrezikojë mundësitë e përmirësimit të cilësisë së qytetërimit tonë.

E keqja më e madhe me të cilët aktualisht po përballemi të gjithë individualisht dhe si shoqëri, është fakti se të ndodhur përballë përditshmërisë së situatave që gjenerojnë krim pa ndërprerje dhe duke u përshtatur me ritmikën sociale të zakonshme të kësaj dukurie, duket sikur jo vetëm nuk kemi shqetësimin e duhur që duhet të jetë në nivele alarmante, por shoqëria gradualisht duket se ka filluar të mësohet, të përshtatet, adpotohet dhe madje të normalizohet me “kulturën e krimit”, pa u shqetësuar sa duhet dhe seriozisht nga prania tejet “bezdisëse” e kësaj dukurie sociale.

Personalisht mendoj se e keqja më e madhe sociale e kësaj situate me të cilën po përballemi aktualisht, është fakti që gradualisht dhe pa u ndjerë fenomenet e krimit nga shumë njerëz kanë filluar të shikohen, madje edhe të interpretohen si fenomene sociale të natyrshme të lidhura me demokracinë, të pranishme në çdo shoqëri modern. Për pasojë në jo pak raste në mënyrë formale dhe informale, krimi që është bërë kaq shqetësues për shoqërinë shqiptare, ka filluar të trajtohet si një shfaqje normale e pranisë së zaknshme në “shoqëritë e lira” të formave të natyrshme të dhunës së “njeriut të lirë”.

Në fakt po përballemi përditë me forma të llahtarshme të krimit, tipologji të tilla të përbinshme që jo vetëm e kanë bërë atë fenomen social shumë intensiv, por akoma më keq është bërë fenomen që po synon të krijojë në shoqërinë tonë klimën e adoptimit social herë paqësor e herë të detyruar me këtë të keqe të madhe të përbashkët për individin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Paradoksalisht me kalimin e kohës situata e krimit është ekzagjerauar keq kohët e fundit, pa dashur këtu të përmend rastet pafund të krimeve të ndodhura këto muajt e pranverës dhe verës në Shqipëri. Në mënyrë të sintetizuar dhe duke vlerësuar objektivisht e sociologjikisht fenomenin, duhet pranuar se situata e krimit të organizuar dhe ordiner në Shqipëri është tejet e zymtë. Në se këtë analizë sociale dhe sociologjike do ta bëjmë drejt, objektivisht pa subjektivizëm dhe njëanshmëri, mund të themi se të duket sikur burimet e krimit janë në përmasa të tilla, që e bëjnë të dyshimtë ecjen tonë sociale drejt progresit social, realizimit të normave europiane dhe standarteve sociale të qytetërimit postmodern.

Besoj se në totalin e vet krimi në shoqërinë tonë ka bërë që situata të jetë e tillë, nga që sasia e kriminelëve dhe cilësitë e krimit janë bërë të tilla, që kanë filluar të gërryejnë “muret” e ekzistencës dhe funksionimit normal të organizimeve të jetës sociale, të familjes, qytetit, shoqërisë shqiptare duke vënë në rrezik serioz modalitetet e ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore, sigurimin e kushteve të duhura të funksionimit të paqes sociale në Shqipëri.

Ajo që është tejet shqetësuese në këto momente dhe që duhet të na bëjë të mendojmë mirë, lidhur me shkaqet dhe situata e përhapjes masive të krimit në shoqërinë shqiptare është përhapja e një lloj iniference sociale dhe pajtueshmërie pasive, me praninë pranë dhe afër nesh të lloj-lloj krimeve dhe kriminelëve që i kryejnë ato. Kultura e pasivitetit, e pajtimit indiferent me këto situata është njëri nga shkaqet madhore të përhapjes intensive dhe ekstensive të krimit në shoqërinë tonë. Sondazhet sociale tregojne se niveli social i kuptimit dhe reagimit social ndaj krimit në shoqërinë tonë është tmerrësisht i ulët. Ky është faktori që po favorizon përhapjen dhe zgjerimin e tij në familje, shkollë, ambietet publike, komunitet e kudo.

Çfarë duhet bërë përballë krimit në zgjerim?

Kjo situatë e perceptimit të deformuar e semplist nga njerëzit dhe shoqëria shqiptare në tërësi të krimit, është më e rëndë se vetë gjëndja e kriminalitetit. Në të vërtetë duke u nisur nga realitetet evidente të krimit dhe situtave kriminale që qarkullojnë në shoqërinë tonë, besoj se qëndrimi dhe reagimi social duhet të jetë më adekuat. Sepse ka kohë që shoqërinë tonë po e gërryen në të gjitha drejtimet përhapja e zgjeruar e krimit në familje dhe përtej saj.

Duke analizuar reagimin mediatik dhe gjykimet e shfaqura në opinionit publik për situatat e krimit në shoqërinë tonë, për përballjen dhe frenimin e tij, sipas mendimit tim ndeshen dy optika të ndryshme, të cilat nuk janë vetëm ideologjike e teorike, por që kanë ndikim të fortë në vlerësimin empirik të situatave kriminale dhe mënyrave të diversifikuara të reagimit kundër tyre. Një pjesë e shoqërisë shqiptare, e mësuar me të menduarit tradicionalist, e afektuar me kulturën e shtetit totalitar dhe rolin e tij në “shpartallimin”e krimit urban, mendojnë se asnjë faktor tjetër nuk ka role, përgjegjësi e mundësi për tú përballuar me krimin përvec shtetit.

Kjo pikëpamje që është shumë e zgjeruar në këtë periudhë të zgjatur të tranzicionit postkomunist dhe inercisë së tij, që ende vazhdon të mbijetojë si mentatlitet që ka ndikime edhe përtej kufijve të tranzicionit, është shumë e gabuar. Jo vetëm pse është thjesht një ide e vjetër etatiste e kapërxyer nga koha dhe për shkak të kushteve të reja nuk është aq e mundur që shteti të marrë përsiper të gjithë rolet e përgjegjësitë në përballjen me stratagjemat e stërholluara të krimit urban. Ka të tjerë që mendojnë se nuk është më ide aq shumë e pëlqyer që shteti në emër të luftës kundër krimit të intervenojë në sferën intime apo të hyjë në familje si institucion i jetës private, dhe sipas tyre një rol i tillë i zmadhuar i shtetit në luftën kundër krimit mund të bëhet padashur faktor që ndikon në nënvleftësimin e aspekteve dhe roleve që ka edukata dhe edukimi, familja dhe shkolla, kultura dhe shoqëria civile, feja dhe media, etj.

Ndërkaq gradualisht në shoqërinë tonë ka filluar të marrë forcë dhe të jetë i pranishëm në konceptimin e luftës kundër krimit edhe ideja liberale moderne, e cila mendon se para se të merremi me shërimin apo ndëshkimin e krimit, kriminelit dhe pasojave të tyre është mirë të merremi me edukimin qytetar dhe human të njeriut.

Kjo pikëpamje e cila akoma nuk ka marrë peshën e duhur sociale në shoqërionë tonë, i jep prioritet idesë së politikave dhe veprimeve sociale parandaluese dhe edukative që duhen bërë sunduese në familje, shkollë, media, institucione fetare e shoqëri. Kjo është rruga e duhur për të krijuar njeriun me fizionomi humane dhe kusht për të zbutur tensionin, konfliktet dhe situatat e krimit në familje, duke i zvendësuar ato me komunikimin e butë, marrëveshjen, tolerancën e mirëkuptimin që janë bazë e ekzistencës dhe funksionimit paqësor të familjes shqiptare dhe komunikimeve njerëzore qytetare.

Në këto kushte ajo që kërkohet që të bëjmë si shoqëri, nuk është të kërkojmë që ndryshojmë njerëzit që kemi në mesin tonë por të ndryshojmë kulturën e tyre, që është baza e mënyrës së sjelljes së deformuar në shoqëri. Mirëpo për fat të keq shoqëria shqiptare ka marrë një drejtim të gabuar, madje nganjëherë të duket se ajo po bëhet armiqësore ndaj kërkesave imperative dhe nevojave imediate të edukimit të njeriut me sjellje humane. Madje kjo neglizhencë e përgjithshme sociale, ky qëndrim gati armiqësor ndaj dhe kundër edukimit, është sipas meje një nga shkaqet madhore dhe arsye substanciale që po godet rëndë shoqërinë tonë.

Adoptimi dhe indiferenca sociale me këtë situatë të deformuar rëndë prej krimit në shoqërinë shqiptare është shkak madhor që vazhdimisht dhe pa ndërprerje po krijon kushte më të gjëra sociale të penetrimit të tij në të gjithë sferat e jetës intime, sociale e publike.Kjo rrugë nuk është “rruga e lirisë” së qytetarit por e lirisë së krimit dhe natyrisht edhe mënyra e duhur për të zgjeruar mundësitë e garantuara që kriminelët të bredhin të lirë në shoqërinë tonë.

Në këto kushte përballimi i krimit kërkon jo vetëm veprimin dhe forcën e ligjit por dhe ngritjen e barrierave sociale, organizative e konceptuale për përballimin e tij..

Edukimi human në familje, shkollë e shoqëri, forcimi i instrumenteve të parandalimit social të situatave kriminale, forcimi i ligjit dhe rolit të shtetit në luftën kundër tij të shoqëruara me ndëshkimin e krimit dhe trajtimin e duhur të kriminelit, janë hallka të procesit të lidhura ngushtë me njëra tjetrën.  Ndryshe në se vazhdojmë të ecim linearisht në këtë rrugë, pa vlerësuar seriozisht situatat dhe dobësitë tona, me siguri që në të ardhmen krimi ordiner dhe i organizuar bashkë me kriminelët që e realizojnë atë do të krijojnë një lloj “llumi social” që mund të bëhet akoma më shumë i përhapur në shoqërinë tonë. E keqja dhe shqetësimi është se llumi i krimit po vjen duke u trashur, jo vetëm e ka bërë jetën tonë të ndodhet në situatë krimi, njerëzit të jenë në lloj-lloj armiqësish individuale dhe në situata të acaruara të pasiguri sociale.

SHKARKO APP