Kritik me Putin, Kasparov fshihet nga libri i historisë
Një prej shahistëve më të mëdhenj në botë është fshirë nga ish-Klubi i tij, Spartaku i Moskës, në një libër historie. Geri Kasparov është një prej pak zërave opozitarë ndaj regjimit të Vladimir Putinit
Nga Carl Shreck
Klubi ikonik sportiv rus, Spartak, e ka fshirë legjendën e shahut, Garry Kasparov, që është kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nga libri me të cilin përshkruhet e kaluara e begatshme e klubit. Për një kohë të gjatë, shahu në Rusi është sport i nderuar. Për këtë, në masë të madhe duhet falënderuar trashëgimia e dominimit sovjetik në këtë lojë. Po ashtu, sukseset ruse në këtë sport janë të ndërlidhura për së afërti me politikën në Rusi, ku zyrtarët e lartë i kanë udhëhequr federatat sportive dhe qeveritë rajonale, ndërsa firmat shtetërore i mbështesin financiarisht manifestimet madhore sportive.
Por duket se kjo gjë është bërë problematike për Klubin e sportit, Spartak, i cili ka publikuar së fundmi librin me sportistët më të mirë dhe ekipet e veta të njohura. Në mesin e anëtarëve më të njohur të Spartakut, para se gjithash, është një kundërshtar i përbetuar i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin: ky është legjenda e shahut, Garry Kasparov.
Zgjidhja? Fshirja e Kasparovit nga libri
Autori veteran rus i shahut dhe gazetari, Yevgeny Gik ka shkruar këtë muaj se më herët, këtë vit ishte ftuar për të shkruar një hyrje për Kasparovin dhe për ish-lojtarin tjetër të Spartakut, kryemjeshtrin e madh armen dhe sovjetik dhe ish-kampionin botëror, Tigran Petrosjan. Gazetari Gik thotë se e ka dorëzuar tekstin, por kur aktualisht e ka parë versionin e publikuar të librit, me të cilin shënohet 80-vjetori i themelimit të Klubit Spartak, ka konstatuar se teksti për Petrosjanin përfshihej në libër, por Kasparovi nuk përmendej askund.
Kryeredaktori, i cili e kishte angazhuar Gikun për të shkruar, i tha se Kasparovi ishte larguar nga libri “në minutën e fundit”, por është e paqartë se kush e kishte marrë këtë vendim.
“Isha i befasuar, po ashtu”, e kishte cituar autori Gik, kryeredaktorin Yevgeny Bogatirov.
Pasi artikulli i gazetarit Yevgeny Gik ishte botuar në faqen në internet Chess-News.ru, Garry Kasparov kishte shkruar në Twitter: “supozoj se, nëse lakenjtë e Putinit dëshirojnë ta largojnë emrin tim nga secili libër sovjetik apo rus, atëherë do të jenë të zënë për një kohë të gjatë”.
Yevgeny Bogatyrev, zëvendëskryeredaktor i revistës “Fizkultura-Sporti”, me seli në Moskë, i ka thënë Radios “Europa e Lirë” se “nuk do ta politizonte këtë çështje”. Në emailin e dërguar ai shkruan se “ndonjëherë, ekzekutivët aktualë të sportit nuk janë në linjë me sportistët legjendarë të së kaluarës dhe përpiqen të mos i përmendin ata”.
Garry Kasparov, një “fëmijë i padëshiruar” i shahut sovjetik, ishte bërë kampion botëror në vitin 1985, në moshën 22-vjeçare, duke e mundur kryemjeshtrin e madh sovjetik, Anatoly Karpov, që ishte lojtar favorit i presidencës ruse. Kasparov e kishte mbajtur titullin e kampionit botëror për 15 vite dhe gjerësisht konsiderohet si njëri nga lojtarët më të mëdhenj në histori.
Mediat e quanin Kasparovin “shërbëtor” të Perëndimit
Në mediat pro-Kremlinit, ai ishte kritikuar duke u cilësuar si “shërbëtor” i Perëndimit, bile edhe pasi ishte larguar nga shahu aktiv garues në vitin 2005 dhe kishte vendosur të përfshihej në politikën opozitare ruse. Aktualisht, Garry Kasparov jeton me dëshirën e tij në ekzil në Shtetet e Bashkuara. Por aktiviteti i tij vazhdon edhe brenda Rusisë; ai ishte organizatori kryesor i të ashtuquajturit ‘Marsh i të pakënaqurve’ në protestat rrugore në vitet 2006 dhe 2007, që përfunduan me arrestimin e një numri të aktivistëve opozitarë, përfshirë edhe vetë Kasparovin.
Ai i ka vazhduar kritikat e tij të ashpra kundër Putinit ndërsa jeton jashtë Rusisë, duke publikuar artikuj në botimet kryesore perëndimore dhe duke dëshmuar para ligjvënësve amerikanë. Por autoritetet e Rusisë e kanë vazhduar presionin kundër Kasparovit edhe në shahun botëror.
Gjatë fushatës së tij për t’u zgjedhur president i Organizatës Ndërkombëtare të Shahut, e njohur me shkurtesën FIDE, ambasadat e Rusisë në gjithë botën i kanë kontaktuar federatat kombëtare të shahut për të lobuar kundër Kasparovit, duke e favorizuar ish-liderin rajonal rus, Kirsan Ilymzhinov. Ilymzhinov pat fituar në këtë garë për president të FIDE-s.
Por, përkundër tensioneve ndërmjet këtyre dy kandidatëve për president të FIDE-s, zoti Ilymzhinov, të cilin Kasparov e kishte denoncuar gjatë zgjedhjeve në FIDE se ishte “plotësisht i mbështetur nga regjimi i Putinit”, e ka kritikuar vendimin që Kasparovi të largohet nga libri i Klubit Spartak, duke thënë se ai është i motivuar “politikisht”. “Është e pamundur që të fshihet kampioni botëror nga sporti sovjetik dhe botëror”, – i tha Ilymzhinov rrjetit Dozhd TV.
Megjithatë, duket se Kasparovi nuk është shlyer krejtësisht nga historia e Spartakut. Në faqen e këtij Klubi në internet është publikuar fotografia e tij, ndërsa fitorja e Kasparovit kundër Karpovit në vitin 1985 vlerësohet si “brilante” dhe “me gjasë, si e arritura më e rëndësishme e garuesit të Spartakut” në atë vit.