Kritika qytetare dhe krizat e pandiera të politikanëve….

Nga Gëzim Tushi/Politika shqiptare është bërë aq shumë e dukshme saqë nuk kërkon stërmundime për të kuptuar cilësinë e saj. Në këtë situatë të politikës dhe zhvillimeve të fundit të saj, të gjithë shqiptarët e kanë të qartë orientimin e banalizuar të zhvillimeve të saj. Kjo ka bërë që pothuaj të gjithë qytetarët në mënyra të ndryshme dhe sipas orientimit të tyre politik, po tentojnë të braktisin indiferencën dhe janë duke u përfshirë në një lloj angazhimi civil që i ka vendosur ata në përballje kritike informale me politikën dhe politikanët shqiptarë.

Reagimet, kundërshtimet, refleksionet dhe analizat e tyre herë me arsye të vërteta dhe në jo pak raste edhe me arsye subjektive, për shkak të perceptimit sipas modës apo nën peshën e “tiranisë së opinionit” të përgjithshëm, tashmë janë një realitet social i përditshëm që ndeshet kudo në shoqërinë tonë. Gjithnjë e më shumë shtohen qytetarët që në vend të kenë shpresa e të presin zgjidhje utilitare e të qytetëruara nga politika, ata janë të traumatizuar nga ndikimet, efektet dhe kundërefektet e politikës shqiptare. Pavarësisht të gjithave këtyre, duket dhe është e sigurt që “beteja” sociale e qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi me politikën në tërësi dhe politikanët e saj veç e veç duket se tashmë ka hyrë në një fazë shumë intensive.

Duke përjashtuar kritikat sociale që vijnë dozat e natyrshme të një lloj ambicieje sociale më shumë individuale që kanë individë që janë përfaqësues të një shtresë e pakët e popullsisë që synojnë për vete skakierën politike, është fare evidente që në masën tjetër të qytetarëve po kultivohet një ndjenjë dyshimi dhe mosbesimi për këtë “klasë” apo “shtresë” që sot është në politikë, luan rolin e politikanit apo që aksidentalisht ka hyrë në një zonë “ku ka luanë”.

Në vlerësimin teorik kjo situatë e politikës dhe kjo gjendje e politikanëve shqiptarë është e tillë, por ajo duhet pranuar si një sëmundje e vjetër sociale, që ka filluar të shfaqet kudo si dukuri universale e politikës postmoderne. Por ndryshe nga realitetet e ballafaqimeve të qytetëruara të pretendimeve të qytetarëve me politikën dhe politikanët në vendet demokratike, përballja e qytetarëve shqiptarë me politikanët e vet nuk është as me inat personal, as luftë në tym dhe pa objekt të qartë social.

Kritikat e publikut të artikuluara herë në shtyp dhe sidomos në ambiente informale që janë herë të drejta, herë kaotike e të paqarta tashmë janë drejtuar totalisht kundrejt politikanëve. Thelbi i kritikës qytetare mbi ta nuk është vetëm për statusin e autoritetit publik, situatën financiare dhe trajtat evidente të korrupsionit të tyre. Por kohët e fundit në debatin midis qytetarëve dhe politikanëve kanë dalë edhe shumë probleme të tjera esenciale e të rëndësishme, që lidhen me aftësitë profesionale dhe staturën intelektuale të përfaqësuesve të politikës, kapacitetet që duhen për të luajtur rolin e tyre në këtë fushë.

Situata politike dhe statusi i politikanëve shqiptarë, veçanërisht i deputetëve dhe atyre që kanë role e mbajnë përgjegjësi publike për detyrat që kanë dhe misionet që kanë marrë përsipër, i ka mbushur mendjen qytetarit shqiptar se ajo (politika) nuk është një terren empirik ku mund të hysh pa pasur ndershmëri, korrektesë, njohuri adekuate, përvojë intensive e aftësi të shumëllojshme kulturore, profesionale, oratorike etj.

Në këtë kontekst në se pa paragjykime do të bëjmë vlerësimin objektiv të situatës në të cilën është sot klasa politike shqiptare, sidomos deputetët që janë më shumë të ekspozuar para publikut, të duket se qytetarët kanë të drejtë që si asnjëherë më parë kanë vënë nën goditjen masive nominale disa nga politikanët e tyre për aftësi të kufizuara politike e mediokritet të shfaqur kulturor. Në rrugë, në rrjetet sociale në takime formale e informale politikanët shqiptarë si kurrë më parë po kritikohen, shahen, anatemohen për prirjet korruptive, nivelin kulturor jo të duhur, për mungesën e aftësive për të mbajtur përgjegjësitë politike, dhe në shumë raste edhe për mënyrat jo morale të ndërtimit të jetës personale. Disa prej tyre në mënyrë nominale dhe të personalizuar janë vënë në shënjestër të opinionit publik, si simbole të pastra të njerëzve të korruptuar, disa të tjerë për shfaqje të dukshme të mediokritetit intelektual.

Por duke e zhveshur realitetin e vërtetë të situatës së klasës politike shqiptare nga zmadhimet e subjektivizmit individual, mllefit social të natyrshëm të nënkuptuar të njerëzve, nuk është e drejtë dhe nuk mund të themi se e gjithë klasa aktuale politike e është e mbushur me njerëz të zakonshëm, aprofesionalë e mediokër. Në elitën politike shqiptare ka njerëz që kanë vlera profesionale e kulturore të spikatura që kanë qenë dikushi në profesionin e tyre.

Por për hir të së vërtetës, në se problemin do ta shohim rast pas rasti apo politikën do e “lexojmë faqe më faqe”, në mënyrë fare të natyrshme duhet të pranojmë se për arsye që nuk lidhen me politikën dhe nevojat e saj, kurba intelektuale e profesionale e klasës politike, sidomos asaj parlamentare ka ardhur duke u dobësuar.

Kjo është arsyeja që qytetarët janë të shqetësuar për faktin se si ndodhi që si kurrë më pare, situata e elitës politike shqiptare erdhi në favor të njeriut mediokër dhe pse politika u bë fushë dominante e politikanëve të thjeshtë militantë dhe biznesmenë ose e një pjese të grupit social të intelektualëve dhe profesionistëve pa staturë e thjesht anonim. Një tipologji e njeriut politik të papërshtatshëm, e cila jo domosdoshmërisht është e lidhur organikisht me politikën si mision dhe profesion. Një pjesë kanë ardhur në politikë dhe Parlament me interesa të qarta sui generis personale, ekonomike, nepotike apo edhe për nevoja individuale subjektivisht narcistike e synime sociale të dukjes ekzibicionale.

Në ditët tona situata është agravuar deri në nivele kritike sepse një pjesë e krizës së politikanëve shqiptarë si “shtresë” apo si “klasë” (kjo është për tu diskutuar), është e lidhur ngushtë pikërisht me imazhin që tashmë është krijuar për të, si e përbërë nga njerëz, që më shumë se interesat e publikut dhe shoqërisë kanë prioritare interesat e tyre të ngushta personale, familjare, klanore dhe militanteske në rastin më të mirë.

Kohët e fundit pozita e tyre si elitë politike është në rënie të dukshme, për shkak se është vërtetuar (të paktën nga akuzat që i bëjnë njëri tjetrit) se një pjesë jo e vogël prej tyre kanë siguruar përmes qenies në politikën aktive përfitime të padrejta, kanë krijuar privilegje të pamerituara dhe janë përzierë në afera të pastra korruptive duke abuzuar me postin publik dhe fondet e buxhetit të shtetit. Këtu nuk është fjala për të ndërhyrë në jetën e tyre private, por siç ka thënë filozofi pragmatist amerikan Xhon Djui,  politikanët doemos kanë një tipologji të tyre të jetës private, por ajo sipas tij bëhet e parëndësishme në se krahasohet me veprimet e tyre si përfaqësues të politikës apo të shtetit.

Kjo është njëra nga arsyet që nuk është me natyrë intelektuale, sepse ka dhe shumë arsye të tjera me natyrë sociale e morale që kanë rrëzuar së tepërmi autoritetin e politikanëve shqiptarë në jetën politike, parlamentare e publike. Kriza e besimit të qytetarëve ndaj tyre reflektohet si mosbesim ndaj politikës dhe institucioneve të saj, të cilat sot në perceptimin publik kanë marrë formën e një “foleje” të mirë e të ngrohtë, të cilën e zënë politikanët që janë thjesht militant apo me interesa personale, por duke qenë në të njëjtën kohë intelektualë anonimë e pa rrënjë që burojnë nga pushteti i dijes dhe kompetenca e spikatur profesionale.

Është shumë shqetësuese për qytetarët shqiptarë që politika jonë ka shumë paradokse, që janë atipike për kohën dhe që nuk gjenden as në modelet e tranzicionit të politikës në vendet e tjera ish komuniste. Fjala vjen, vetëm tek ne ndoshta është një situatë e ngurtë e ndryshimit të elitave politike, i cili në këto 26 vite ka qenë proces shumë i ngadaltë, me një inerci të theksuar konservatore, që tregon në mënyrë të sigurt se një pjesë e politikanëve ka mbetur në “elitën politike” për një kohë të gjatë dhe nuk ka pësuar asgjë të paktën nga efektet e rotacioneve, ndëshkimeve të merituara dhe sidomos nga ndikimet e ndryshimeve të natyrshme të kohës

Ka një pyetje që qarkullon prej kohësh në opinionin publik qytetar, e cila akoma nuk ka marrë përgjigjen e duhur nga politika shqiptare: Pse disa liderë të botës së kaluar politike me karrierë intensive 26 -vjeçare, në pjesën e zhvillimeve demokratike e kanë vështirë të largohen nga politika dhe në mënyrë të natyrshme të kthehen në jetën personale, duke bërë kalimin demokratik nga përfaqësues të elitave të dikurshme politike  në qytetarë të lirë e të barabartë në shoqëri?

Kudo në vendet ish komuniste ky proces ka ndodhur pa dhimbje të mëdha sociale, pa qejmbetje individësh të cilët për shkak të ndryshimit të madh historik kanë gjetur rrugën e natyrshme e normale të kthimit nga përfaqësues të elitave të dikurshme, drejt shoqërisë pa komplekse dhe si krejt të barabartë. Ky është një problem që ka të bëjë me nevojën e një shpejtësie të duhur por pa u nxitur për të nxitur qarkullimin e elitës politike shqiptare. Në demokraci elitat politike dhe ato qeverisëse, thotë me të drejtë politologu Raimond Aron, janë kurdoherë në gjendje shndërrimi, herë të vazhdueshëm e herë të ngadaltë…

SHKARKO APP