Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci: “Thethi sot… borë dhe bukuri”
“Thethi sot… borë dhe bukuri”, shkruan në një postim publik kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, duke ndarë me qytetarët një video që sjell frymën, hijeshinë dhe heshtjen madhështore të Thethit të veshur me petkat e bardha të dimrit. Në pamjet që ai publikon, Thethi ngjan si një faqe e hapur e një libri të vjetër alpin, ku çdo shtëpi, çdo trung, çdo majë mali është shndërruar në një kapitull të shkruar me dritë dhe kristale bore.
Në sfond, përveç kësaj bukurie që të rrëmben shikimin, qëndron sfida e çdoorshme për të garantuar normalitetin e qarkullimit në rrugët e zonave të prekura nga reshjet. Ekipet në terren punojnë pa ndërprerje për të mbajtur hapur arterien që lidh këtë perlë të Alpeve shqiptare me pjesën tjetër të vendit, duke bërë të mundur që banorët të lëvizin dhe vizitorët të mos mbeten të shkëputur nga ky mrekulli natyrore.
Por pavarësisht motit sfidues, Thethi mbetet ai që ka qenë gjithmonë, një atraksion i rrallë, një skenë e papërsëritshme, një destinacion ku natyra shpërfaq dukurinë e saj më të pastër dhe më imponuese. Çdo flakërimë drite që bie mbi dëborën e paprekur, çdo re që shtrihet mbi kreshtat e maleve, çdo pamje që përthith kamera, e kthen Thethin në një ftesë të hapur për adhuruesit e natyrës.
Janë këto pamje, ky udhëtim magjik mes bardhësisë, që e bëjnë Thethin një vend kaq të lakmuar nga turistët, vendas e të huaj. Një vend ku heshtja flet më shumë se fjalët, ku bora nuk është vetëm klimë, por bekim; ku peizazhi nuk është vetëm skenë, por përjetim.
Thethi i sotëm, i mbuluar nga dëbora, është një kujtesë e gjallë se Shqipëria ruan ende vende magjike që mbeten të pacenuara nga koha, duke i dhuruar çdo vizitori atë ndjesi të rrallë: se natyra ka ende surpriza që të lënë pa frymë.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

