Kryemadhi: Deputetët e PS, të kërcënuar nga kriminelët e Ramës
Monika Kryemadhi është e bindur që populli do të rrëzojë qeverinë e Kryeministrit Edi Rama me protestën e tij.
Duke folur në një lidhje të dretjpërdrejtë për Të Paekspozuarit në Top Channel këtë të enjte, ajo thotë se Rama ka probleme edhe vetë brenda PS dhe se deputetët e mazhorancës ndjehen të kërcënuar.
“Problemi Edi Ramës është ai që ndjen brenda PS, nuk është opozita problemi i Edi Ramës. Atë do ta rrëzojë popullli se nga brenda çdo deputet që do t’i dalë kundër do t’i çojë kriminelin tek shtëpia që t’i kërcënojë gruan dhe fëmijët”, deklaroi ajo.
Sipas Kryemadhit, Rama është trembur, sidomos pas zgjedhjes së Prokurores, Arta Marku.
“Veprimet e tij tregojnë frikë, pas 18 dhjetorit bën veprime që tregojnë frikën dhe që është vetëm dhe mbrohet nga disa kone që lehin për të krijuar zhurmë rreth figurës së tij madhështore për të krijuar imazhin e një lideri ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Kryetarja e LSI-së kërkoi bashkimin e të gjitha forcave politike opozitare kundër Ramës.
“Legalistë, ballistë, republikanë, komunistë që të gjithë duhet të bëhemi bashkë sepse është një betejë kundër krimit”, deklaroi Kryemadhi.
Më tej, kryetarja e LSI-së u shpreh e bindur se negociatat nuk do të hapen dhe se ndër kushtet e vëna është e reforma zgjedhore.
Top Channel