Kryemadhi: Partia që po blen vota është PS-ja, ju tregoj skemën

Zëvendëskryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte e ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në “News24”. Duke folur për fushatën zgjedhore, Kryemadhi shprehu shqetësimin se njerëzit po kërcënohen me vendet e punës dhe me ndihmën ekonomike. Gjithashtu, znj. Kryemadhi denoncoi faktin se elementë të caktuar të Policisë së Shtetit po gjurmojnë aktivistë të LSI ditën për t’i bërë shërbimet ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

“Unë mendoj se në momentin që sulmohesh do të thotë që bërë një rrezik për rivalët e tu. Unë isha në Librazhd dhe jam njohur me faktin se po njerëzit kërcënoheshin me ndihmën ekonomike. Pra, imagjino u thoshin se do tu heqim 17 mijë lekëshin. Policia është aq prezentë sa njerëzit thërriten në komisariat për raste të tipit pse po shtron rrugën me çakëll. Kjo do të thotë se njerëzit po përballen më një presion psikologjik të madh. Elementë të caktuar të Policisë së Shtetit po gjurmon ditën aktivistët e LSI dhe natën këta elementë falen te Sajmir Tahiri”, – tha Kryemadhi.

Duke komentuar kandidimin e saj në qarkun e Elbasanit, Zv.kryetarja e LSI-së shpjegoi arsyet e kësaj zgjedhje dhe largimit nga qarku i Lezhës.

“Më kërkuan të kandidoja në Elbasan. Shumë njerëz mendojnë se Monika është kokëfortë, por në fakt po themi më detyroi partia, sepse nuk do e ndryshoja kandidimin në Lezhë me atë në Elbasan. Unë jam në qarkun e Elbasanit, por ndjek edhe Tiranën. Tirana është gjë tjetër, pavarësisht presionit të administratës dhe policisë. Tiransit janë më snobistë. Njerëzit në Elbasan janë të palexueshëm, nuk thonë kurrë jam me ty ose jo”, – tha Kryemadhi.

Gjithashtu, znj, Kryemadhi foli edhe për fenomenin e kultivimit të kanabisit në vendin tonë, duke theksuar se nuk është denoncuar siç duhet. Zv.Kryetarja e LSI-së tha se përfaqësuesit e delegacioneve të huaja në vendin tonë kanë folur për gjithçka, por jo për kanabisin.

“Shumë qytetarë deri më dje nuk donin të merrnin pjesë fare në votime, por tani kanë ndërruar mendje. Sapo u bë ky ‘BigMac’, kanë vendosur të votojnë. T’u tregojnë qëndrimin e tyre. Shumë qytetarë që kam takuar së fundmi, thonë ‘nuk do shkoja të votoja, po tani na është neveritur me këtë marrëveshje që bënë PS dhe PD, do shkojmë në zgjedhje’. Ndërkombëtarë u intereson që sa më shumë përplasje mes partive të ketë këtu, aq më të larta i kanë pagat ata. Se ata flasin për gjërat që duan. Ndërkombëtarët nuk lanë orë, çantë e këpucë pa na komentuar, por për drogën s’thanë gjë”, tha Kryemadhi.

“Ne sa herë na vijnë ndërkombëtarët në Shqipëri na ndryshojnë ligjet. Ne i ndryshojmë ligjet sipas shteteve që kanë ata. Por nuk mund të ndryshosh mënyrën sesi funksionon qeveria, kushtetuta apo ligjet, sipas origjinës nga vijnë të huajt”, shtoi ajo.

Sa i përket koalicionin qeverisës PS-LSI dhe qëndrimeve pas marrëveshjes Rama-Basha, znj. Kryemadhi foli lidhur me përgjegjësitë e LSI-së në çfarë ka shkuar keq në qeverisje.

“Kemi përgjegjësi. E di ku është, tek ministrat tanë. Sepse nuk duhet ta kishin lejuar që Edi Rama të zhvishte ministritë e LSI-së nga ato që përfaqësonin. Ne themi Ministria e Transporteve, por kjo ministri nuk administron asnjë rrugë. Fondet i merr të gjitha FSHZH. Unë kam ngritur zërin për ligjin e sigurimeve shoqërore, për ligjin e arsimit të lartë. Arroganca e bëri që të dalë nga shtrati Rilindjen. Sigurisht dy vitet e para kishte dëshirë për të bërë gjithçka. Ka pasur qëndrim zyrtar LSI-ja për këto problematika që flasim sot. E mbani mend Luan Ramën e ka kërkuar 4 herë Edi Ramën në parlament të flasë për luftën kundër drogës”, – theksoi Kryemadhi duke shtuar: “E di çfarë do ndodhte po të dilte LSI nga koalicioni? Ti largoheshe dhe prapë ministrat rrinin aty. Ti mund të largohesh nga koalicioni, Edi Rama nuk bënte mocion dhe vazhdonte vegjetonte, sepse kështu e parashikon Kushtetuta e 2008”, – deklaroi Kryemadhi.

Ndërkaq, Zv.Kryetarja e LSI-së e drejtoi gishtin nga Partia Socialiste si forca politike që sot po blen më shumë vota. Ajo ka treguar edhe skemën si bëhet blerja e votës, sipas saj nga ana e punonjësve të bashkisë.

E pyetur se nëse rrezikojnë konfliktet të prishin ditën e zgjedhjeve, Kryemadhi tha se njerëz po i vijnë vërdallë LSI-së, por ata janë porositur të tregojnë kujdes.

“Që po ju vijnë vërdallë njerëzit LSI-së po i vijnë por ne iu kemi thënë shmanguni. Një rast ka ndodhur në Gramsh. Ndaj iu kemi thënë që të jenë të kujdesshëm. Edhe njerëzit që janë kërcënuar kemi thënë që vazhdoni rrugën. Ju kemi thënë të kenë kujdes edhe për blerjen e votave. Partia që po blen më shumë votën sot është PS-ja. I kanë me punonjës të bashkive të tyre, i lënë paratë në pika të ndryshme dhe pas orës 16:30 inspektorë të policisë kriminale shpërndajnë paratë. I kemi çuar dhe në ambasada këto informacione. Dje në Gramsh një makinë me targa false. Jo më larg se dje një kamion me miell në fshatin Kukur. Mua me thënë të drejtën nuk më vjen keq se ato janë zona aq të varfra, le tua marrin paratë dhe miellin, ama ditën e zgjedhjeve u kam thënë shkoni votoni dhe mendoni për 4 vitet tuaja”, deklaroi Kryemadhi.

SHKARKO APP