Kryemadhi pret Ambasadoren e Kinës: Bashkëpunim mes dy vendeve

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi priti sot në një takim Ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu. Kryetarja e LSI vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis dy vendeve, duke vlerësuar gjithashtu angazhimet e Kinës në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

“Ne mbështesim programin “Një Brez Një rrugë’ dhe procesin 16+1 për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe e shohim si një mundësi të rëndësishme bashkëpunimi mes dy vendeve”,- tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila shprehu mbështetjen e plotë për krijimin në Shqipëri të Qendrës së Organizatave rinore në kuadër të kësaj Nisme.

Gjithashtu, Kryetarja e LSI shprehu falënderimet ndaj Ambasadores Sh.S.Znj. Jiang Yu për rolin e saj në forcimin e këtij bashkëpunimi në të mirë të të dyja vendeve. Kryemadhi vlerësoi fokusin që ambasada i kushton projekteve vendore dhe zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe sektorë të tjerë të zhvillimit.

 Ambasadorja e Kinës, Yu vlerësoi rolin që LSI jep në arenën politike shqiptare dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit. Gjatë fjalës së saj Ambasadorja u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve zhvillohen duke u bazuar mbi marrëdhëniet njerëzore, te qeverive por edhe te partive politike.

“Shqipëria s’është një vend i vogël, por vend me rol shumë të rëndësishëm në Diplomacinë Kineze. Roli im është i dedikuar në rritjen sa më shumë të nivelit të bashkëpunimit diplomatik Shqipëri-Kinë”,- është shprehur ndër të tjera Ambasadorja.

Në takim Kryetarja Kryemadhi ka qenë e shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Vasili dhe nga Deputeti, njëherazi Anëtar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kinë, Z. Edmond Haxhinasto.

SHKARKO APP