Kryeministri Rama: Çmimet e pronave në Shqipëri do të rriten dyfishohen kur të anëtarësohemi në BE
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vjenë ku ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve. Në fjalën e tij, Rama u ka bërë thirrje investitorëve që të blejnë prona në Shqipëri pasi çmimet do të vijnë duke u rritur akoma më shumë.
Më tej, Rama u pyet nga një investitor për ndihmën që duhet të japë qeveria për të ndikuar në zgjatjen e sezonit turistik, përtej 180 ditëve.
Kryeministri u shpreh se sezoni tashmë është zgjatur, megjithatë ai shtoi se sfidë mbetet zgjatja pothuajse në gjithë vitin.
“Në fakt sezoni po zgjatet tashmë. Këtë vit ka qenë shumë e qartë, që numrat janë shtuar tashmë, sigurisht në terma relativë duke i krahasuar me vitin e kaluar, por do të thosha që pyetja që ju bëtë ose sfida është e vërtetë. Na duhet që të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Vetë investuesit mund të bëjnë më shumë në këtë fushë. Ju mund të na ndihmoni që të ndihmojmë vetë strukturat qeveritare dhe ato vendore që të jenë edhe personat që kanë dalë në pension të vijnë të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri. Mendoj që do të ndodhë kjo gjë. Edhe sepse sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtetë përpara dhe ka hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende. Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, t’i shpenzoni për të blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë investim shumë i mirë. Sepse çmimet do rriten akoma më shumë edhe kur të bëhemi shtet anëtar i BE. Çmimet rriten pothuajse dyfish. Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite, dhe e shisni me çmim dyfish. Ejani në Shqipëri dhe blini prona”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Më tej, Rama tha se Shqipëria aspiron që deri në vitin 2030 të ketë sovranitet të plotë energjetik për të mbuluar nevojat e vendit gjatë gjithë vitit pa patur nevojën të importojë nga jashtë.
“Kemi shumë besim që do arrijmë sovranitet të plotë përpara 2030, do jemi të aftë të prodhojmë të gjithë energjinë që na duhet gjithë vitin pa nevojën për të importuar, çka nuk është kështu sot”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

