Kryeministri Rama: Shkrirja e Kadastrës në Vlorë, pa sportele, gjithçka online
Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podkastin e tij “Flasim” zhvendosjen e Zyrës së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, duke sqaruar arsyet dhe mënyrën e funksionimit të shërbimit në të ardhmen.
Sipas Ramës, disa informacione mbi zhvendosjen janë keqinterpretuar ose keqkuptuar, duke shkaktuar tension dhe diskutime të panevojshme. Ai theksoi se Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga modeli tradicional i shërbimit me sportele dhe radhë, në një model online, i cili lejon kryerjen e shumicës së procedurave pa nevojën e paraqitjes fizike në sportel, përmes platformës e-Albania.
“Kjo lëvizje nuk lidhet me vendndodhjen fizike të zyrës, por me transformimin e shërbimit në një model të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm për çdo qytetar, përmes celularit apo kompjuterit më të afërt,” tha Rama.
Ai gjithashtu shtoi se zhvendosja e zyrës së Vlorës nuk është e vetmja e këtij lloji. Në të ardhmen, drejtoritë vendore të Kadastrës do të përqendrohen në shërbime online, me qëllim që gjithë cikli i aplikimit dhe marrjes së dokumenteve të kryhet në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë për vizita fizike ose marrje dokumentesh me postë. Ky hap synon një qasje më efikase, moderne dhe të aksesueshme për qytetarët, duke e bërë shërbimin e Kadastrës një të drejtë themelore që mund të përdoret nga çdo pikë në territor.
Rama u shpreh edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. U ngatërrua qëllimisht ose idiotësisht adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radhë e zvarritje, në një model online ende në proces mbylljeje të plotë, por që përmes platformës e-Albania mundëson që shumica e procedurave të kryhen pa paraqitje fizike në sportel. Të gjitha ndiqen online”.
Tani gjithë kjo zhurmë dhe ky tension lidhet jo vetëm me një perceptim të gabuar apo informim të mangët, por edhe me një mendësi që duhet përmbysur. E nesërmja e Kadastrës është një shërbim pa sportele, me godina fizike të shpërndara, por me akses në çdo shërbim si një e drejtë themelore, përmes celularit apo kompjuterit më të afërt, pa lidhje me vendndodhjen e zyrës. Ky nuk është i pari veprim i zhvendosjes së një drejtorie vendore dhe nuk do të jetë as i fundit. Të tjera drejtoritë do të zhvendosen, dhe ajo që po punojmë është të sigurojmë mbylljen e ciklit online, pra jo më aplikim online dhe marrje të shërbimeve me postë, por gjithë procesi të kryhet plotësisht online.”
KOHA JONË SONDAZH

