Kryeparlamentari Peleshi takon homologun në Zagreb: Forcim i bashkëpunimit me Kroacinë
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ndodhet në Kroaci, ku do të marrë pjesë në Samitin Parlamentar të Iniciativës së Tre Deteve, një forum i rëndësishëm ndërajonal që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor në Europë e më gjerë, mes vendeve të Adriatikut, Balltikut dhe Detit të Zi.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, Peleshi zhvilloi një takim në Parlamentin e Kroacisë me homologun, Gordan Jandrokoviç. Peleshi e falënderoi homologun Jandrokoviç për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përvoja e Kroacisë në procesin e anëtarësimit në BE është model i rëndësishëm për Shqipërinë, theksoi Peleshi, ndërkohë që sugjeroi shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
Peleshi dhe Jandrokoviç vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve. Lidhjet historike, kulturore dhe ekonomike, si dhe prioritetet e përbashkëta në politikën e jashtme, krijojnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Parlamentet do të vijojnë të mbështesin rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat kanë arritur rreth 200 milionë dollarë në vitin 2024, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2023. U diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm si energjia, infrastruktura, mbrojtja, zhvillimi ekonomik, bujqësia, shkenca dhe turizmi, duke i kushtuar vëmendje të veçantë trajnimit profesional në turizëm dhe mbrojtjes së mjedisit, veçanërisht nga ndotja bregdetare.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua intensifikimit të bashkëpunimit shumë të mirë parlamentar në të gjitha nivelet dhe mes komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve. Palët diskutuan gjithashtu për partneritetin për garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe mbrojtjen e paqes, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, organizatave ndërkombëtare dhe iniciativave rajonale.
Shqipëria dhe Kroacia do të vijojnë të mbështesin luftën e drejtë të Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, si një kontribut i përbashkët për mbrojtjen e lirisë dhe të paqes. Në takim u vlerësua edhe roli i komunitetit shqiptar në Kroaci, i cili konsiderohet një urë e rëndësishme miqësie mes dy vendeve. Vizita e kryetarit të Kuvendit në Zagreb dhe pjesëmarrja në Samitin e Iniciativës së Tre Deteve pritet të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe rajonal mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
KOHA JONË SONDAZH

