Kryetarët dhe sfidat e bashkive të reja…

Nga Gëzim Tushi

Kanë kaluar gjashtë muaj nga koha kur qytetarët votuan dhe zgjodhën liderët e rinj të pushtetit lokal, kryetarët e bashkive me territor, përgjegjësi sociale dhe kompetenca administrative më të mëdha. Por në mënyrë evidente për shkaqe të kuptueshme të natyrshme, që vijnë nga ndikimet dhe ndërlikimet e implementimit të reformës së re territoriale dhe administrative, për ta doemos që krahas sukseseve kanë dalë vështirësitë si liderë të zgjedhur me besimin se janë të aftë për të udhëhequr bashkitë e reja.

Vështirësitë nga sa po duket deri tani janë objektive por dhe subjektive, që lidhen me vështirësitë ekonomike e fondet financiare por dhe subjektive, të lidhura me dimensionet e personalitetit, vullnetin dhe rrezikun e konceptimit semplist për detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Bashkisë. Sepse ato tashmë janë territorialisht komplekse dhe me shumë problematika të ndërlikuara ekonomike, sociale, kulturore e urbane.

Synimi i reformës administrative dhe ndarjes së re territoriale është i shumëfishtë dhe doemos ajo që pritet nga liderët e rinj lokal, është një konceptim ndryshe i drejtimit të punëve e shoqëruar padyshim edhe me një dinamizëm më i madh personal i cili është “condite sine qua non” për të përballuar sfidat e reja të shumëfishuara të pushtetit lokal. Ata janë përballë sfidës së madhe kur stabilizimi i problemeve të vjetra sociale dhe urbane, të mbartura dhe përballimi sidomos i sfidave të reja është një proces kompleks që lidhet me aftësitë personale por dhe vizionin e drejtuesve të rinj të pushtetit lokal që dolën nga zgjedhjet e fundit. Sidomos kur dihet që në fillim se pavarësisht dëshirës dhe vullnetit të qeverisë, mjetet makroekonomike e financiare që kanë në dispozicion nuk janë të pakufizuara për të bërë të mundshme të gjitha gjërat që janë të nevojshme.

Një gjë është e mirë dhe duhet vlerësuar pozitivisht. Shumica e liderëve të pushtetit lokal, qoftë në këshillat bashkiakë apo në krye të saj janë të rinj. Në lidershipin e pushtetit vendor është bërë vërtetë një proces i thellë rinovimi i kapaciteteve, duke sjellë njerëz të rinj (jo thjesht në kuptimin moshor, as si diskriminim për shkak të saj). Besoj se nuk ka njeri që është në kundërshtim me këtë. Sepse është e ditur që në beteja të reja, kaq të mëdha e komplekse siç është kjo reformë territoriale e administrative, nuk mund të shkohej me kuaj të vjetër”. Sepse është koha dhe problemet që kanë qytetarët tanë që kërkon njerëz me ide të reja për qeverisjen eficiente të tyre. Kam ndjekur me vëmendje punën dhe angazhimin e shume kryetarëve të bashkisë, përpjekjet personale dhe institucionale për të qenë në krye të punëve dhe për të udhëhequr bashkitë me rendiment dhe eficiencë administrative. Më vjen mirë si qytetar dhe intelektual që shumë prej tyre kanë filluar punën duke pasur të qarta objektivat e mandatit, strategjitë afatmesme dhe afatgjata por dhe taktikat e pasqyruara në planet konkrete të zhvillimit urban.

Megjithatë edhe pse ka kaluar pak kohë, nuk është vështirë të dallosh dy tipologji pune dhe dy modele lidershipi lokal. Nga njëra anë janë disa kryetarë që ecin në rrugë tradicionale, dhe sipas mentalitetit dhe modelit administrativ burokratik të drejtimit të punëve duke kërkuar burime e financime qeveritare, duke i mbajtur sytë gjithë ditën vetëm nga buxheti i shtetit, dhe disa të tjerë të cilët janë dinamikë e kreativë për sigurimin e burimeve materiale e resurseve të tjera komunitare për të bërë realitet objektivat e shpallura, strategjitë e hartuara dhe veprimet konkrete që duhen për t’i bërë ato realitet imediat, të prekshëm nga qytetari.

Në këto kushte duke qenë të bindur për mundësitë e kufizuara të buxhetimit të planeve rajonale dhe programeve të zhvillimit, gjëja që pritet të bëjnë më mirë kryetarët e bashkisë është të shfrytëzojnë kapacitetet lokale e rajonale dhe mbi të gjitha  “nxitin njerëzit”, organizimet e shoqërisë civile drejt projekteve, punëve dhe bashkëveprimeve të përbashkëta me natyrë komunitare.

Tani kanë filluar të shpalosen konkretizimet e ideve dhe piketave të programeve elektorale të prezantuar nga Kryetarët e Bashkive kur ata ishin kandidatë dhe garonin duke pasur përballë tyre edhe programet e kundërshtarëve. Është e admirueshme që edhe pse një kohë e shkurtër shumë nga liderët fitimtarë të bashkive kanë hartuar projekte dhe plane zhvillimi në fusha dhe sektorë të ndryshëm të jetës sociale e urbane duke angazhuar grupe e specialistë kompetentë, të aftë e vizionarë që të dinë, kanë kapacitete dhe në të njëjtën kohë janë në gjendje të vlerësojnë nevojat e gjithanshme komunitare e territoriale që kanë qenë të ravijëzuara në idetë, programet e premtimeve dhe angazhimeve elektorale.

Mirëpo është e frikshme që shpesh herë përballemi me kryetarë të disa bashkive që lëvizjet e tyre të ngadalta akoma kanë mbetur në fazën gjykimeve paraelektorale. Me këtë rast si qytetar do të dëshiroja që sa më shpejt të jetë e mundur të bëjmë presion pozitiv mbi këta kryetarë bashkie që të zhvendosen me kurajo e guxim nga fazat e kapërcyera të fushatës elektorale. Nuk është në nderin e drejtuesve të pushtetit vendor që në media, para elektoratit, në takime me qytetarët apo në Konferenca ku priten plane konkrete të zhvillimit, dëgjojmë shpesh në mënyrë monotone argumente justifikuese, ide të përgjithshme zhvillimore që jo vetëm nuk kanë impakt dhe as sjellin produkt social e zhvillim komunitar, por më shumë ngjajnë si slogane monotone, të mërzitshme apo akoma më keq në se nga pasiviteti apo mendësitë pritëse, planet dhe programet e deklaruara në fushatë akoma kanë mbetur thjesht premtime të parealizuara. Qytetarët dhe komuniteti kanë bindjen se në krye të bashkisë, të punëve lokale dhe pushtetit administrativ kanë zgjedhur njerëz mendjehapur e guximtarë, që kanë ide inovative dhe realizues.

Sepse në se drejtuesit e bashkive qëndrojnë në pozita pasive e justifikuese, duke i mbajtur sytë përpjetë nga fondet e planifikuara apo grantet e kushtëzuara, atëherë qytetarët kanë të drejtë të mendojnë se fushata e tyre personale ka qenë me ide koti dhe të parealizueshme, që në realitet duke qenë të tilla nuk sjellin ndryshime, nga që nuk kanë pasoja ekonomike e sociale për njerëzit dhe jetën e përbashkët komunitare.

Kryetarët e bashkive që kanë të tilla mendësi apo që fushatën e tyre zgjedhore e kanë parë thjesht si dëshirë për fitore personale, duke u nisur nga parimi makiavelist se në fund të fundit fitimtarët nuk gjykohen, do të jenë në fund të mandatit të tyre thjesht të zgjedhur gabimisht dhe në mënyrë aksidentale janë në pozicionin ku nuk dinë dhe nuk kanë aftësi të luajnë rolin që u takon. Në se në krye të bashkisë kemi zgjedhur liderë të tillë me gjykim minimalist, kjo ka për t’í sjellë komunitetit të qytetarëve dhe zhvillimit urban të territorit dëme të mëdha materiale, kulturore, urbane e zhvillimore.

Punët e Bashkisë dhe detyrat komplekse administruese të pushtetit lokal, kanë nevojë për njerëz që kanë horizont e përgjegjësi personale për të kuptuar përgjegjësinë që kanë marrë mbi vete, për të drejtuar sfidat e pushtetit lokal dhe problemet e territorit jo thjesht në kuptimin fizik të termit. E vetmja gjë për të cilën nuk kanë votuar qytetarët nga Kryetarët e zgjedhur prej tyre është përtacia, dembelizmi, pritmëria pasive dhe mbi të gjitha, recidivate e një lloj ekuacioni të shëmtuar, që është bërë i neveritshëm për qytetarët në këto 25 vjet. Shpesh kryetarët e bashkive kanë vuajtur nga fodullëku që vjen prej pushtetit, apo e kundërta por po aq e rrezikshme siç është pushteti që vjen nga fodullëku personal.

Përvojat dhe mandatet e kaluara të pushtetit lokal nuk kanë munguar pa na treguar shumë difekte të drejtuesve të tyre. Kryetarët e rinj mbase do kenë nxjerrë mësime nga përvoja e kolegëve të tyre të së kaluarës, nga patologjitë e njohura midis të cilëve shumë i neveritshëm ka qenë fodullëku që vjen nga zotërimi i pakontrolluar i instrumenteve të pushtetit lokal. Ka shumë raste të evidentuara, kur një pjesë prej tyre pikërisht në emër të fodullëkut kanë mundur të bëjnë shumë dredhi, mashtrime e korrupsion me pushtetin e dhënë nga qytetarët. Fodullëku bëhet është veçanërisht i rrezikshëm tek ata që kanë pushtet dhe vendosin për fatin e qytetarëve dhe komunitetit.

Do jetë fatkeqësi e madhe në se midis të zgjedhurve të 21 qershorit do ketë shumë nga ata për të cilët pushteti do shfaqet dhe përdoret prej tyre si qëllim në vetvete. Koha që ka kaluar ka treguar në mënyrë flagrante, se kur kapja e majave të pushtetit vendor nga bëhet qëllim në vetvete apo konsiderohet thjesht si formë e promovimit personal, atëherë është e sigurt që puna e drejtuesit të pushtetit lokal humbet natyrën e punës së dobishme për të cilën janë ngarkuar dhe nuk përjashtohet mundësia që në vend të punës për qytetarët dhe komunitetin të përdoret për korrupsionin që është zgjatim i pushtetit të përdorur në mënyrë abuzive.

Edhe diçka në fund, por jo pa rëndësi për punën e drejtuesve të bashkive: Ata mund të kenë shumë ide në programet e miratuara, por unë besoj se duke vlerësuar situatat që zhvillohen në të gjithë bashkitë sot, duke vlerësuar defektet e qeverisjes lokale në këto 25 vjet, detyrë e parë e kryetarëve të bashkive mbetet beteja për të vendosur kushtet për respektimin e ligjit në territoret lokale, puna për edukimin e qytetarëve me respektimin e “sjelljes civile” dhe ndjenjën e besimit ndaj ndershmërisë së pakontestuar të autoriteteve të qeverisjes lokale. Por këto arrihen me pune e jo me llafe. Duhet menduar për të arritur fitore të vogla, në mënyrë që në fund të mandatit të arrihet rezultati i madh…

SHKARKO APP