Kryetatimorja: Fushatë e re këshillimi për bizneset

Ka pak ditë në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, drejtoresha e re Vasilka Vjero ka lajmëruar nisjen e fushatë këshilluese ndaj bizneseve.

Vjero ka zgjatur dorën për të bashkëpunuar me tatimpaguesit duke çuar fillimisht inspektorët tatimore, të cilët do të japin këshilla.

“Administrata tatimore, në vijim të klimës së bashkëpunimit me tatimpaguesit, si dhe me qëllim zbatimin e ligjit nga këta të fundit, dëshiron të theksojë, që do të vijojë një proces të qëndrueshëm të komunikimit me ta, thuhet në një njoftim të posaçëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në njoftim thuhet se ky proces i nisur kohë më parë, do të vijojë në mënyrë të përditshme, me prezencën e administratës dhe inspektorëve tatimorë pranë çdo subjekti tregtar, me qëllim, dhënien e udhëzimeve të vazhdueshme në lidhje me  përdorimin e kasës për çdo veprim të kryer nga subjektet dhe për procesin e mbylljes së pajisjes fiskale në përfundim të orarit të aktivitetit.

Përmirësimi i performancës në raport me ligjin për detyrimet e tatim paguesve, është një detyrim i administratës tatimore, ashtu sikundër, ky proces këshillimi, bën me dije këdo të interesuar, se në rast konstatimi aktesh korruptive apo sjelljesh jo etike të punonjësve të Administratës Tatimore, të njoftojnë në adresën: denoncime@tatime.gov.al ose të telefonojë në numrin jeshil pa pagesë 0800 14 14.

Një vit më parë kur qeveria nisi një fushatë antiinformalitet në të gjitha subjektet e biznest duke aplikuar gjoba dhe mësa penale deri në burg klima e biznesit u përkeqësua ndjeshëm.

Indekset  që masin klimën e biznesit shënuan një përkeqësim të dukshëm gjate dy viteve te fundit. Treguesi i indeksit të Besimit të Dhomës Amerikane (ABI) për vitin 2015 ka shënuar një rënie të ndjeshme me 4.83 pikë përqindjeje.

Gjithashtu indeksi i Dhomës Gjermane të tregtisë e renditi Shqipërinë si vendin e fundit në Rajon ku gjermanët do të donin të investonin. Gjatë prezantimit nga Dhoma Gjermane, mbi vëzhgimin e kryer në ecurinë ekonomike të vitit 2016 në Shqipëri, u bë e njohur se 56 % e bizneseve të anketuara e vlerësojnë situatën negative në 2016.

Ndërsa indeksi më i rëndësishëm që mat klimën e biznesit, raporti i Bankës Botërore Doing Business 2016 ka konkluduar se “Shqipëria renditet e 142-ta në treguesin e Pagimit të Taksave dhe një firme mesatarisht duhet të bëjë 34 pagesa taksash në vit dhe të harxhojë 357 orë për përgatitje, plotësim dhe pagesa dhe të paguajë një total të taksave në 36.5% të fitimit”. Renditja e Shqipërisë ra me 35 vende, përkeqësimi i madh në 19 vite.

Diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar te investimeve, që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, i kane orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore.

SHKARKO APP