Ku humbi Edi Rama!
Nga Zylyftar Bregu
Edi Rama po shfaqet çdo orë në televizion dhe mbase kjo pyetje duket krejt pa vend. Por unë nuk e kam fjalën për këtë që po shohim këto ditë. Unë po kërkoj Edi Ramën e vërtetë, Edi Ramën e pushtetshëm, ministrin snobist, kryetarin e bashkisë që ishte vetë zot e vetë shkop, kryetarin që përjashtoi PS-në nga partia dhe futi në të Rilindjen, po kërkoj njeriun që nuk bën zgjedhje në partinë e tij, po kërkoj njeriun e batutave për hashashin, po kërkoj kryeministrin që thoshte nuk keni parë gjë akoma. Po kërkoj atë Edi Ramën që kemi parë gjatë kë- tyre 44 muajve.
Edi Rama po përpiqet të zhbëjë në 30 ditët e fushatës elektorale vetveten. Po përpiqet të na bëjë të harrojmë që këtu ka qenë, ka qenë ky kryeministër, ka qenë ky që mbushi Shqipërinë me hashash, ka qenë ky që mbushi Kuvendin me banditë, ka qenë ky që nuk bëri asnjë metër rrugë, ka qenë ky që nuk mbajti asnjë premtim. Ka qenë ky që nuk pyeste për kërkënd në vathën e tij.
Ka qenë ky që për 2 javë ndërroi më shumë ministra se xhaketa. Këtë Ramë po kërkoj, jo atë që del me numrin 2 në çdo kazan mediatik e në çdo mejhane fshati. Këto 30 ditë po përpiqet nga mëngjesin në mëngjes për të zhbërë imazhin që ka shfaqur gjatë gjithë karrierës së tij politike, sidomos në 44 muajt si kryeministër, të qenit arrogant!
Sigurisht që 30 ditë janë shumë pak për të rrëzuar atë që ke demonstruar në 44 muaj. Drejtimin autoritar të shtetit; mungesën e ndjeshmërisë për të varfrin, ose vegjëlinë; urrejtja, madje edhe nxitja e saj ndaj pushteteve të tjera, sidomos atij të drejtësisë; partneriteti me botën e krimit dhe arbitrariteti ndaj biznesit, sidomos atij të vogël!
Si një strateg i fushatave të komunikimit, të marketingut politik lideri i Rilindjes, është duke përdorur “gjuhën e drunjtë” për të mos përsëritur gabimet e fushatës së katër viteve më parë, kur premtonte objektiva konkrete dhe të matshme!
Këtë herë, pasi ka marrë “bekimin” e Ismail Qemalit, duket se këtë të fundit e ka vendosur shef të fushatës elektorale të qarkut të Vlorës, teksa rekomandon vlonjatët që para se të votojnë të pyesin një herë Ismail Qemalin! Pasi ka marrë miratimin e Lulëzim Bashës ka përdorur simbolin më të fortë të Partisë Demokratike, që janë dy gishtat për të mbajtur (më sforco) trëndafilin e Partisë Socialiste! Në këtë mënyrë parullën përtej së majtës dhe së djathtës e ka konvertuar me çngjyrosjen e votës partiake, duke kërkuar votën patriotike kuqezi!
Por ky duket një misioni i pamundur, e bashkë më këtë edhe objektivi kryesor, marrja e 71 mandateve nga Rilindja! E pengon historia e afërt e 44 muajve si kryeministër! Gjatë këtyre muajve Rama ka pasur timonin e pushtetit ekzekutiv, por ia ka dorëzuar atë në kundërshtim me ligjin, sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë! Vetë nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Monika Kryemadhi, deklaroi në intervistën me Lutfi Dervishin, në televizionin publik, se Edi Rama i kishte drejtuar më pak se gishtat e njërës dorë mbledhjet e qeverisë në fillimet e mandatit të tij!
Tani po kërkon 71 vota për të marrë edhe timonin e pushtetit të dytë, atij legjislativ, Kuvendit të Shqipërisë. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, pra me sistemin aktual zgjedhur, është kryetari i partisë ai që vendos deputetët në pjesën fituese të listës! Çfarë e detyroi kryetarin e Rilindjes që të sillte në Kuvend persona të akuzuar dhe dënuar për krime të rënda, nga ato që edhe bota e krimit i përçmon?! Njeriu që ndoti Parlamentin kërkon të pastrojë një pushtet tjetër- gjyqësorin! Duke shfrytëzuar pakënaqësinë popullore, kryeministri kërkon të nënshtrojë edhe pushtetin e tretë, atë gjyqësor nëpërmjet të ashtuquajturës Reforma në Drejtësi! Ndërsa pushtetin e katërt, median, Rama e cilëson thjesht kazan, që në rastin më të mirë do të përdorë për të hedhur në të, tre pushtetet e tjera!
Pyes veten ku ka humbur Edi Rama që kemi njohur dhe ndoshta e vetmja frikë është se mos nxjerr prapë kokën më datë 26 qershor… Panorama.com.al