Ku qëndron problemi me aleatët e SHBA-ve?
Nga Richard Sokolsky dhe Jeremy Shapiro*
“Brookings Institute”
Aleatët kanë qenë prej kohësh në qendër të strategjisë së SHBA-së mbi sigurinë kombëtare, dhe kjo ka qenë e theksuar sidomos gjatë presidencës Obama. “Ne duhet” – deklaroi presidenti Obama në Maj 2014, “të mobilizojmë aleatët dhe partnerët tanë, për të ndërmarrë veprime kolektive. … Duhet të bashkëpunojmë me të tjerët, për shkak se veprimi kolektiv në këto rrethana, ka më shumë gjasa të ketë sukses, më shumë të ngjarë të jetë i qëndrueshëm, dhe më pak mundësi për të çuar në gabime të kushtueshme”.
Ky fokus mbi aleatët, në një botë në të cilën pushteti është i përhapur dhe krizat janë shumëfishuar, është një politikë e mirë. Aleatët e pakësojnë barrën financiare të angazhimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara, si dhe i japin legjitimitet më të madh aksioneve të Uashingtonit. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara e dinë se aleatët dhe partnerët më besnikë, kanë shpesh ide më të mira mbi mënyrën sesi duhet të trajtohet një krizë, si dhe një avantazh krahasues në zbatimin e tyre, sidomos kur është fjala për të kuptuar dinamikat lokale.
Për këto arsye, administrata e Obamës, sikurse administratat e mëparshme, ka shpenzuar shumë kapital diplomatik, për të lidhur aleanca zyrtare dhe jozyrtare, dhe shpenzuar miliarda dollarë, sipas zhargonit të Pentagonit për “ndërtimin e kapaciteteve të partnerëve”. Por kjo praktikë, nuk duket se po funksionon edhe aq mirë.
Aleatët amerikanë në mbarë botën, duket se janë gjithnjë e më pak të gatshëm dhe të aftë, për të kontribuar në qëllimet e përbashkëta. Shumica e aleatëve evropianë, janë tërhequr në vetevete, duke pakësuar shpenzimet e mbrojtjes, edhe pse Rusia po bëhet përherë e më agresive. Nga ana tjetër, aleatët aziatikë, duken më të përqëndruar në kritikat ndaj papërshtatshmërisë së ribalancimit të administratës amerikane në rajonin e Azi-Paqësorit, sesa në formimin e institucioneve rajonale të sigurisë, që mund t’i përgjigjen në mënyrë të efektshme rritjes së Kinës.
Më e keqja është se aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme, janë kryesisht një koleksion laraman dhe kronikisht të bashkë-varur petro-shtetesh dhe entitetesh korruptive në buzë të kaosit. Pra, çfarë shkoi keq? Pse përpjekja për të fuqizuar aleatët e Amerikës, ka qenë kaq pak produktive?
Paradoksi i varësisë
Paradoksalisht, përpjekjet e SHBA-së për ndërtimin e kapaciteteve, i kanë dobësuar, në vend se të fuqizonin aleatët tanë, veçanërisht shtetet evropiane dhe arabe, duke krijuar kështu një nivel varësie, që të paktën deri kohët e fundit, e ka mbytur pavarësinë.
Administrata e Obamës, si paraardhëset e saj, u bëri thirrje këtyre vendeve, për të zhvilluar kapacitetet e nevojshme për mbrojtjen, por në të njëjtën kohë i parajmëroi, se Amerika tek e fundit do t’i mbrojë kur të zhyten në telashe. Qeveria amerikane, shpesh e komplikon këtë problem, duke kërkuar pak përgjegjshmëri dhe rezultate, për zhvillimin aktual të efektivitetit luftarak.
Në vend se ta lidhë ndihmën e saj ushtarake për shtetet arabe, me përmbushjen e disa provave të caktuara të gatishmërisë, ndërveprimit, logjistikës, komandës dhe përmirësimit të kontrollit, Uashingtoni i konsumon energjitë e tij, duke e trajtuar shitjen e armëve në një masë të madhe thjesht si transaksion tregtar.
Dhe duke mos ofruar stimuj apo vendosur pengesa për performancën e dobët, Shtetet e Bashkuara kanë shkelur rregullin kryesor, sesi t’i japin fund aleancave që nuk marrin përsipër asnjë përgjegjësi. Së fundmi, qeveria amerikane ka patur shpesh synime tepër ambicioze, duke lënë pas dore një mësim të thjeshtë: përballë qeverive të korruptuara, represive si dhe shoqërive të fragmentuara, të gjitha paratë, trajnimi, dhe pajisjet e botës, nuk mund të blejnë vullnetin për të luftuar, profesionalizmin ushtarak, udhëheqjen dhe moralin.
Në mënyrë që gjërat të qëndrojnë njëlloj, gjërat do të duhet të ndryshojnë. Të paktën që nga viti 2011, administrata Obama është përfshirë në përpjekje mjaft të fshehta, për t’i ndryshuar këto dinamika. Në Libi, Mali, dhe Jemen, SHBA ka kërkuar të heqë “rrjetën” e vet të sigurisë, duke të inkurajuar edhe forcat aleatë, për të marrë përgjegjësi më të mëdha.
Për shumë kritikë të administratës Obama, kjo përbën një dështim të udhëheqjes amerikane, apo edhe braktisje të partnereve të mëparshëm, në mëshirën e armiqve të tyre rajonale. Dhe pas shumë vitesh, kur aftësitë ushtarake janë atrofizuar apo dështuar të zhvillohen, ndarja e barrës me aleatët, nuk kaq qenë shpesh një kujtim i bukur.
Veçanërisht në frontin ushtarak, aleatët e Amerikës qartazi nuk veprojnë si duhet, sikurse do të kishin bërë Shtetet e Bashkuara, në rast se do t’i kishte marrë përsipër vetë ato detyra. Në Irak, përpjekjet e SHBA-së për të deleguar përgjegjësi, kanë dështuar në mënyrë të qartë dhe detyruar ri-angazhimin në ato konflikte, të cilat administrata me siguri do të kishte preferuar t’i shmangte.
Këto të meta dhe rreziqe janë reale. Por në përgjithësi, qasja e administratës është e shëndoshë. Ajo përfaqëson një kuptim të sofistikuar, sesi Amerika duhet të ushtrojë lidershipin e saj në një botë më multipolare dhe një pushteti të shpërhapur.
Ajo gjithashtu, pasqyron pranimin e faktit se shumë nga sfidat e sigurisë, me të cilat përballet Shtetet e Bashkuara, rrjedhin nga qeverisja e dobët, dhe që rezultojnë patologjike-veçanërisht konfliktet etnike, sektare dhe fisnore, nuk janë aq të përshtatshme për zgjidhjen amerikane, siç është kërcënimi më tradicional i agresionit ndër-shtetëror gjatë Luftës së Ftohtë.
Së fundi, koncepti i administratës mbi udhëheqjen, është më i përshtatshëm për një publik, që sipas thuajse të gjitha anketave publike, është më shumë në favor të mesazhit të Xhorxh Mekgavërn në vitin 1972:“Kthehu në shtëpi Amerikë!”, sesa apelit të Xhon Kenedit në fjalimin e tij inaugurues presidencial në vitin 1961, për “të paguar çfarëdolloj çmimi, mbajtur çdo barrë… për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.
Më e rëndësishmja, burimet dhe kapacitetet e kufizuara në një botë të konkurrentëve në rritje, do të thonë se Shtetet e Bashkuara kanë pak zgjedhje, përveçse për t’u përballur me këto rreziqe. Në shumicën e krizave dhe konflikteve, me të cilat Shtetet e Bashkuara ballafaqohen në Lindjen e Mesme, të mos bësh asgjë, nuk është shpesh një opsion i zbatueshëm politikisht.
Në të njëjtën kohë, ndërhyrja ushtarake amerikane në shkallë të gjerë, nuk është as politikisht e realizueshme dhe as moralisht e mbrojtshme, ndërsa rrezikon të shkallëzojë dhunën. Por pavarësisht sa e kushtueshme është për Shtetet e Bashkuara, të trajnojë dhe të pajisë partnerët e huaj, do të ketë një kosto shumë më të shtrenjtë, angazhimi i drejtpërdrejtë i forcave amerikane.
Dhe kostot e Amerikës mbi reputacionin, besueshmërinë, dhe prestigjin janë më të mëdha, kur forcat amerikane dështojnë të përmbushin misionin e tyre, sesa kur dështojnë partnerët e huaj. Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të presin gjithnjë që aleatët të bëjnë mirë, ose pikërisht atë që ajo dëshiron. Por, duke marrë në sy rreziqe të till, është i nevojshëm ndërtimi i kapaciteteve të vërteta.
Frustrimi amerikan me aleatët, që nuk paguajnë asnjë kosto, nuk është një problem i ri. Në fakt, është e vështirë të kujtohet një kohë, kur një administratë amerikane nuk është ankuar mbi këtë dukuri. Administrata Obama, është me të drejtë më pak tolerante, ndaj këtyre përpjekjeve të pamjaftueshme dhe më pak e gatshme, për t’i nxjerrë këto vende nga kjo situatë, sepse pranon që problemi i partnerëve të dobët dhe jo të besueshëm, është bërë shumë më akut.
Së fundmi, SHBA ka një diferencë të madhe mbi sigurinë, dhe mund të përballojë t’i marrë përsipër këto rreziqe, në një periudhë afatshkurtër. Për sigurinë e saj afatgjatë, ajo duhet t’i marrë në sy këto rreziqe, sepse siç tregon me bollëk përvoja, askush nuk do të ndërtojë realisht kapacitete, në rast se nuk ka një rrjet sigurie.