Ku ta dinte ai?!…
FEJTON nga Hyskë Borobojka
Ka pasur e ka shumë fushata në vendin tonë. Dikur ishte fushata kundër karkalecit, që bënte kërdinë në bujqësi, më keq se kapteri në ushtri. Pastaj vinte fushata e madhe “Korrje, shirje, grumbullim, lëmin e parë shtetit”. Tani ka filluar fushata për zgjedhjet e reja të “Baballarëve e Gjyshërve të Kombit” në Parlament. Partitë të majta, të djathta, të qendrës, të varura e të pavarura, kanë hapur grykën e thesit të madh të premtimeve. Koha rrjedh si ujët në përruan e Lanës e në lumenjtë e vendit. Partitë (u paçim uratën) i kanë harruar premtimet e majme të bëra katër vjet më parë, që përfunduan, si kokoshi një thelë, nga një thes i madh sa një hangar në një trastë të vogël. “Do bëhen zgjedhjet!?”, thërrasin e çirren partitë. Dhe, si në dasmë, ngrihen e zbrazen dollitë. Këtu mitingu, më tej gazeta, do bëhen zgjedhjet, or tungjatjeta. Premtimet e zotimet s’kanë të sosur, rrjedhin lumë e përrua.
-Do ndërtojmë “Rrugën e Arbrit”, t’i gëzojmë dibranët! – e kanë në majë të gjuhës “lektorët” e agjitatorët e partive. Por ata që kanë tre çerek shekulli që jetojnë e punojnë në këto vise, u dhëmbin veshët, pasi këtë premtim e kanë dëgjuar që nga merhumja diktaturë. Por ajo e gjorë, hiq e mos këput, nuk kishte para të ndërtonte këtë rrugë me emrin e historisë së lashtë, pasi do ndërtonte bunkerët me hekur e beton, për ta mbushur me to vendin anë e mbanë, si kërpudhat pas shiut të beharit. Partitë i harruan premtimet e vjetra e filluan të rejat. Se do të hapin disa qindra vende pune të reja. (i kanë harruar të vjetrat) Do rrisin rrogat e pensionet. Do rritet mirëqenia… Lista e premtimeve që vazhdojnë të bëjnë partitë gjatë kësaj fushate s’ka të sosur. Që t’i regjistrosh e t’i shkruash të gjitha, duhet një ditë behari e një natë dimri.
Në një takim apo miting (quajeni si të doni) kishte ardhur me një makinë luksoze që të vriste sytë, një “lektor” i zoti apo agjitator i thekur, që shoqërohej nga një skuadër militantësh të sprovuar që kishin sjellë me vete një makinë me kolltukë, karrige e frona për t’u ulur. Lektori, burrë i zoti, filloi t’u fliste njerëzve të grumbulluar, jo vetëm me gojë, por edhe këmbë e duar, se çfarë të mira e jetëdhënëse, të papara, do të sillte për qytetarët partia e tij, që do vinte në pushtet në 25 qershor, si dy e dy që bëjnë katër.
Si mbaroi “lektori” ligjëratën e gjatë të sukseseve e të mirave të papara, që do të sillte partia e tij gjatë katër viteve të ardhme. Sa u ul në kolltukun, që kishte sjellë me vete, nga mesi i njerëzve të grumbulluar, u ngrit e mori fjalën njëri nga qytetarët:
-Ti fole, fole e premtove e premtove, gjithë ato të “mira’ që do na vijnë pas 25 qershorit. Të lumtë goja. Por kur vjen fundi i muajit zotrote e çon në shtëpi një milion lekë të vjetra, kurse unë i gjori, mezi i shpie 100 mijë dhe i numëroj si kokrrat e misrit, më dalin a s’më dalin, sa të vijë muaji tjetër. Ti, o biri i xhaxhajt, je me shkollë e dituri. Prandaj merr lapsin e bëj hesap. Me ato 100 mijë lekë të vjetra, që marr, duhet të paguaj bukën e përditshme, që marr në furrë, perimet në pazar, ushqimet në supermarket, të laj borxhin te “bakalli” i lagjes për ato ushqime, që kam marrë me listë. Ne to duhet të paguaj dritat elektrike, ujin me faturë tatimore aforfe, ilaçet në farmaci, taksat e shumta, që sa vijnë e rriten. Pa duhen e dhe rroba për të veshur e opinga për të mbathur. Zotrote thua dhe mirë e ke, që sytë e mentë duhet t’i mbajmë nga e ardhmja e lumtur dhe jo nga e shkuara e harrura Këtë melodi muzike e kam dëgjuar, që kur isha kalama, se do të hanim me lugë floriri, por s’hëngrëm dot as me lugë prej druri. Prandaj, o biri i xhaxhajt, më mirë më jep një vezë sot të mbaj shpirtin gjallë e jo një pulë mot. Sa për premtimet që na bëre zotrote, si katër vjet më parë, kush digjet nga qulli i fryn edhe kosit.
“Lektori” apo agjitatori e dëgjoi dhe rrudhi vetullat. U zbe, u thartua dhe shikoi shtrembër, militantët që e shoqëronin.
-Kush e solli këtë firaun në mitingut tonë. Ky nuk ishte në listën e të ftuarve, që erdhën bashke me ne?! – iu hakërrua njëri nga militantët shoqërues shokut të tij.
-Fajin e ke ti, që s’e kontrollove listën e militantëve që duhet të merrnin pjesë në mitingun e partisë tonë! – iu përgjigj tjetri.
-Jo unë!
-Po kush?!
– Ishte detyra tënde që përpara se të fillonte mitingu, duhet të ishe treguar vigjilent e të kontrolloje mirë se mos ishte futur në gjirin e militantëve të partisë tonë ndonjë “hafije’ nga kundërshtarët tanë!?
Ndërsa ata ia pasonin njëri tjetrit mungesën e vigjilencës për të zbuluar ndonjë të dërguar nga kundërshtarët, që t’ia prishte bukurinë mitingut, i treti iu drejtua lektorit:
-Pse s’ia vure kufirin te thana atij qafiri, po e le të fliste e dërdëlliste së prapi. Të na i bëjë fushatën e “suksesshme çorbë derri?!.
-Çfarë t’i thosha?!- iu përgjigj ai duke zënë vend në ndenjëset e parë të makinës luksoze.- Ai s’e di se unë nuk çoj në shtëpi një milion lekë te vjetra, por dy. Mbase nuk e ka marrë vesh se, veç dy milionëshit, që e kam pagën marr 170 mijë lekë për telefonin, 350 mijë për qira banese në Tiranë,400 mijë dieta e karburant. Të tjera lekë për telefonin, për mbledhjet në komisionet parlamentare e të tjera me radhë. që po t’i mbledhësh të gjitha bashkë bëhen 3 milion e 250 mijë lekë. Kështu është ndarë kjo punë, s’jemi të gjithë njësoj, si këmbët e dhisë, unë deputet e ai një argat apo pensionist.