Kukës, Kodheli dhe Gjici premtojnë investime në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik
Në vazhdën e takimeve elektorale, Mimi Kodheli e shoqëruar nga kandidati tjetër i Partisë Socialiste Safet Gjici, kanë biseduar në takime të ndryshme me banorët e disa lagjeve të qytetit të Kukësit, përkatësisht të lagjes1,2,3 dhe 6.
Gjatë fjalës së saj Kodheli ndau me qytetarët një problem, i cili prek të gjithë qytetarët e Shqipërisë, problemin e sistemit keqfunksionues gjyqësor dhe mënyrën sesi duhej ndryshuar ai: “Në botën demokratike vlejnë sistemet dhe ne vuajmë për mirëfunksionimin e sistemeve por mbi të gjitha kemi vuajtur për mosfunksionimin ose keqfunksionimin e një sistemi që është më i korruptuari, më i pazoti, më i degjeneruari i sistemeve që është ai gjyqësor. Në këtë sistem ka dhe njerëz të mirë, ka dhe njerëz të devotshëm që i kanë shërbyer njerëzve por sistemi duhej çbërë dhe pastruar nga çdo skorje, pisllëk, abuzim me pushtetin, mosbarazi përpara ligjit, të cilin kemi perceptuar ne si qytetarë në shumë vite.”
Vettingu për znj.Kodheli është i një rëndësie të veçantë dhe ky është proces, i cili do të kthej jetën e qytetarëve në një jetë normale dhe të sigurt dhe do të kthejë Shqipërinë në një vend dinjitoz.
Në vijim të fjalës së saj, Kodheli vuri në dukje problemet që kishte lënë qeverisja e mëparshme në qarkun e Kukësit dhe një nga problemet më të papranueshme ishte problemi i uji të pijshëm, i cili vjen vetëm si pasojë e keq menaxhimit të parave të taksapaguesve dhe abuzimet me tenderimet.
Për kryesuesen e listës së Partisë Socialiste në Kukës, znj. Kodheli, ky qytet duhet të kthehet në një qytet dinjitoz, ashtu siç e meriton dhe kjo arrihet vetëm duke i dhënë shansin partisë, e cila ka në qendër individin dhe punën e ndershme: “Sepse në qendër të politikës të Partisë Socialiste ne kemi vënë njeriun. Është njeriu i punës, ai i pamunduri, ai i moshuari, ai i riu që kërkon punë, ai që kërkon shpresë, ai që kërkon dinjitet, ai që kërkon ta ketë të ardhmen më të mirë, ai që kërkon ta ketë Kukësin atë që do, jo atë që i kanë kërkuar nëpër përralla. Kush punon gabon dhe di të kërkojë të falur për ato gjëra që ka premtuar dhe nuk ka bërë. Që nuk kanë qenë barcaleta, por kanë qenë mundi i çdo dite të gjithsekujt që ka drejtuar këtë vend për ta bërë një vend më të mirë. Që është sot më i mirë, do jetë nesër më i mirë, do jetë ajo që duam, Shqipëria që duam, rinia që duam, e ardhmja që duam, Kukësi që duam, Hasi që duam, Tropoja që duam. Ajo më e bukura e ëndrrave tona.”
Në fjalën e tij Safet Gjici, rikujtoi edhe njëherë banorët e këtij qarku për investimet e qeverisë Rama në Kukës dhe u shpreh i bindur që kjo qeveri është e vetmja e cila mund t’i kthejë Kukësit lavdinë që meriton.
Gjici shtoi me bindje se zhvillimi i Kukësit mund të vijë vetëm me punë dhe qeveria Rama e ka vërtetuar këtë. Ai u shpreh se reformat do të vazhdojnë dhe se zhvillimi i Kukësit është përparësi për qeverinë Rama në 4 vitet e ardhshme.