Kultivimi i hashashit, lajthitje apo nënshtrim ndaj mafies?
Nga Zef Shtjefni
U duk si e pabesueshme ditët e para, por ka njerëz që po i mëshojnë vërtetë idesë së kultivimit të hashashit në Shqipëri. Iniciatorët dhe përkrahësit e kësaj ideje mbështetën në faktin, se disa vende perëndimore si: Holanda, Italia, Amerika etj., e lejojnë kultivimin e kontrolluar të hashashit për qëllime mjekësore. Ca të tjerë, përfshirë këtu dhe specialistë të fushës, shpjegojnë se hashashi nuk është vetëm ai i drogës, por ai është disa llojesh. Ata pohojnë se hashashi, i njohur me emrin kërp në atë kohë, ka qenë kultivuar masivisht edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe shitej në tregjet ndërkombëtare, së bashku me bimë të tjera medicinale. Por, një lloj kërpi përdorej gjerësisht edhe në vend, për prodhimin e litarëve të fortë për anijet, sepse ata të nejloneve dolën vonë. Kjo tymnajë publicistike në favor të kultivimit të kësaj bime narkotike në Shqipëri, fill tani pas përfundimit të superaksionit të Policisë për pastrimin e territorit prej tij, nuk ka se si të mos shkaktojë habi të madhe. Kjo është një mjegullnajë, që duket se mban erë të keqe. Mua më kujtoj një sherr të madh, vite më parë, mes një grupi kultivuesish të Malësisë së Madhe, të cilët për muaj të tërë qëndruan të arrestuar e pastaj me vite të tëra u rropatën gjyqeve, për të vërtetuar nëse ishte hashash apo kërp medicinal bima që ata kultivonin në tokat e tyre. Tani, imagjinoni se çfarë do të ndodhë, nëse do ta lejojmë përsëri të kultivohet në të gjithë Shqipërinë kjo bimë… Besoj është krejt e lehtë kjo imagjinatë për këdo. Shqipëria, në pak muaj do t’i kalonte Kolumbisë dhe ky vend do ndërronte dhe emrin nga Albani në Hashashëri. Neve sot, nuk jemi akoma në gjendje të bëjmë zap bandat e tritolit, të krimeve të rënda, të xhihadistëve, të krimeve të panumërta ordinere. Pas gjitha atyre sakrificave e pune të mundimshme të bërë nga Policia e Shtetit, të na shkojë mendja të lejojmë përsëri rikultivimin e tij!? Ata qofshin..! Ka interes të madh ekonomik, na thonë reklamuesit, për hashashin apo kanabisin apo kërpin mjekësor, meqë na e kërkoka vetë Europa, e mëqë Europës nuk qenkemi në gjendje t’i shesim gjë tjetër! Kështu justifikoheshin edhe talebanët, që prodhonin drogat e forta nga Afganistani e poshtë, me destinacion vendet e krishtera perëndimore. Këta dogaxhinjtë tanë, besoj se e kanë mendjen vetëm tek paratë, se për para shqiptari po vret vëllanë, babën e bën çdo gjë sot. Por nuk arrijë të kuptoj këtë kurajo të njerëzve të njohur, që mua më duket lajthitje, më duket si të tallësh me sakrificat e jetën e qindra djemve e vajzave të Policisë sonë, që rrezikuan keqas në luftën për mposhtjen e kështjellave të drogës, që na krijoi e la shteti i Sali Berishës në Lazarat, në Dukagjin etj. U bë luftë me gjithë arsenalin e armeve atje dhe vetëm falë profesionalizmit të policisë së shtetit shqiptar, pa u vra njeri e, u pastruan gjithë këto zona, duke rivënë në vend dinjitetin dhe fytyrën e shpërfytyruar kolumbiane të vendit në opinionin Europian. Është lajthitje edhe të na krahasosh ne, me funksionimin dhe kontrollin e shteteve europiane mbi territoret e tyre. Është lajthitje dhe të krahasosh shtetin e sotëm që kemi, me shtetin e Enver Hoxhës. Shteti i Enverit ishte në gjendje të kontrollonte se çfarë flisnin një burrë e një grua poshtë jorganit në krevatin e tyre. Ne do kontrollojnë sot kanabisin e drogës, mes 20 lloje të kanabiseve të tjera, të cilët e kanë zor t’i dallojnë specialistët e fushës..! Pika që s’u bie të lajthiturve apo të nënshtruarve..! Mendime dhe deklarime të tilla, për mendimin tim krejt të papërgjegjshme, ose të thëna nuk e di se në çfarë rrethanash, i bëjnë vërtetë pesimist shqiptarët në klasën tonë politike. Mbase ndodhen nën presionin e madh të drogaxhinjve që kanë humbur milionat, apo dhe të atyre votuesve që kanë humbur punën, mirëqenien, rehatinë e hashashit. Nuk është ndonjë gjë e re kjo. Dy-tri zona në vend i kanë parë hajrin këtij kanceri, që prodhohej në kurriz të jetës së gjithë pjesës tjetër të vendit, e cila ka preferuar të respektojë ligjet e shtetit dhe të kultivojë: grurë, misër, patate, perime, pemtari, blegtori, apo të merret me biznese të tjera të ligjshme. Tani këta zotërinj na propozojnë që t’i lëmë këto punë dhe t’i përvishemi të gjithë hashashit..! Se kështu do të ndodhë, nëse ideja e lajthitur e tyre mund të marrë udhë. Nuk e di nëse janë berishët pas kësaj ideje, sepse atyre po, që mund t’u shkonte për shtat kjo. Kështu, do të justifikojnë atë që lejonin e bënin vetë më parë. A nuk ishin haptazi kundër ndërhyrjes së Policisë në Lazarat e Dukagjin? Me këtë, berishët i bëjnë naftën gjithë asaj pune e gjithë atij suksesi të Policisë për të mposhtur këtë sëmundje të rëndë që po përhapej e merrte gjithë vëndin. Ndaj, them është ose lajthitje, ose nënshtrim ndaj presionit të mafies, që të kërkosh kultivimin e hashashit sot në Shqipëri. Sapo u çliruam prej tij, tani na thonë ta rifusim përsëri djallin brenda! Dhe kuptohet se kur ta kultivojmë për Europën, për vete do bëjmë namin nga mëngjesi në mëngjes. Ha, pi, rri e tymos. Kjo është Shqipëria e tyre e hashashit, që ëndërrojnë. Prandaj, i lus ata që e kanë hedhur këtë ide, ndoshta dhe pa u menduar mirë, që të turpërohen e t’u kërkojnë falje shqiptarëve.