Kumbaro në 26 vjetorin e PS-së në Përmet: Fitore e padiskutueshme e PS-së, jo 4 me 1 po 5 me 0!
“Fitore të padiskutueshme në Përmet, në Qarkun Gjirokastër dhe gjithë Shqipërinë jo 4 me 1, por 5 me 0 për Partinë Socialiste”, kështu është shprehur kandidatja e PS-së Mirela Kumbaro gjatë takimit me socialistët e Përmetit me rastin e 26 vjetorit të PS-së.
Ajo ka pohuar se gjatë kësaj fushate socialistët do të trokasin në çdo derë dhe në çdo zemër e mendje për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën e punës së PS-së në këto 44 muaj.
Kumbaro ka kërkuar edhe njëherë votën e përmetarëve dhe gjithë shqiptarëve për Partinë Socialiste si e vetmja mënyrë për të patur një qeveri 100% socialiste me synimin e vetëm, që është ai i të ndërtuarit shtet për shqiptarët.
“Mezi pres që kjo fushatë të mbarojë me një fitore të sigurt për Përmetin, për Shqipërinë, për PS dhe ne të vazhdojmë projektet që kemi nisur, sepse ato janë vetëm në fillim. Kemi hedhur themelet e shtëpisë sonë të madhe dhe do të vazhdojmë në mandatin e dytë të gjithë bashkë të ndërtojmë shtëpinë tonë, shtetin tonë, për Shqipërinë që duam. Suksese dhe fitore të padiskutueshme në Përmet, në Qarkun Gjirokastër dhe gjithë Shqipërinë, jo 4 me 1, por 5 me 0 për PS.
Deri në datën 25 do të trokasim në çdo derë dhe në çdo zemër e mendje sepse duhet t’u themi shqiptarëve të vërtetën. E vërteta jonë, e vërteta e punës së PS në këto 44 muaj nuk është gjithçka, por ama është shumëçka për t’i bindur të gjithë që në datë 25 vota duhet të jetë për PS, me një qeveri 100% socialiste, me një timonier të vetëm, që ne jo të marrim pushtetin, por të ndërtojmë shtetin për shqiptarët” iu drejtua kandidatja socialiste përmetarëve.
Më tej Kumbaro theksoi se Përmeti ka treguar se po t’i japësh dorën, të jep zemrën, teksa prezantoi para qytetarëve projektin e qeverisë socialiste për këtë qytet.
“Projekti ynë i radhës për Përmetin synon ndërtimin e një panteoni të hapur me figurat e mëdha të Përmetit. Kudo panteonët mbarojnë një moment, por Përmeti ka aq shumë saqë do të jenë brezat ata që do ta pasurojnë. Përmeti ka treguar se po t’i japësh dorën, të jep zemrën. Unë pata fatin e madh që si ministre e Kulturës të ndjek nga afër projektet e investimit që ka bërë skuadra e Partisë Socialiste nën drejtimin dhe qeverisjen e kapitenit tonë Edi Rama. Përmeti që kemi është shumë më i mirë se Përmeti që kishim.
Ne duam të kthejmë shkëlqimin e Përmetit që është krenaria shqiptare. Do ta bëjmë Përmetin që duam të bukur e të famshëm jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë të huajt që do të vijnë në Përmet, si një destinacion i parë në Shqipëri, për turizmin, bujqësinë, kulturën dhe historinë” tha Kumbaro.