Kumbaro: Përmeti në vëmendjen e qeverisë, 4 milionë euro për ujësjellësin e ri
Në një atmosferë entuziaste me banorë të lagjes tek Tregu në qendër të qytetit, kandidatja e PS-së në qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro ka ndarë me banorët vizionin e qeverisjes socialiste.
Ajo ka sjellë para tyre dëshmitë e transformimit të Përmetit, qytetit dikur të harruar, ndërsa sot i shndërruar në një prej qendrave turistike në jug të vendit me investime që zgjidhin plagë të mëdha si ujësjellësi i qytetit.
“Përmeti ishte një xhep i harruar ku nuk i shkonte në mendje asnjë qeverie të fuste dorën për ta parë nëse e kishte apo jo.
Ndërkohë që ju e keni parë, që vetëm në vitin e fundit sesi është rritur fluksi i vizitorëve, sesi po kthehet vëmedja në Përmet pas investimeve në qendër, por jo vetëm në qendër. Ka plot lagje të tjera që meritojnë vëmendjen që nuk e kanë patur dhe sot më thonë, “po tek ne kur do të vijë Rilindja Urbane”.
Rruga Këlcyrë-Përmet po mbaron, kemi nxjerrë investimin prej 4 milionë eurosh për plagën më të madhe që kishte Përmeti, ujësjellësi i qytetit, i cili fillon të ndërtohet brenda verës,- tha Kumbaro.
Kumbaro ka pohuar se falë përpjekjeve të qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës për shpalljen e qendrave historike në Bënjë dhe Përmet, fenomeni i largimit të turistëve nga Përmeti do të marrë fund.
Ajo ka sjellë në vëmendjen e banorëve nënshkrimin e marrëveshjes me Bankën Botërore për ta kthyer Përmetin në qendër turistike parësore krahas Gjirokastrës, Beratit dhe Sarandës.
“Ne turistët do t’i mbajmë në Përmet jo një natë, por një javë. Prandaj dhe Bënja është shpallur qendër historike, prandaj u bë dhe nënshkrimi i marrëveshjes me BB prej 71 milionë dollarë për të kthyer në qendër turistike parësore, Gjirokastrën, Beratin, Përmetin dhe Sarandën.
Për të parën herë Përmeti po merr maksimumin e vëmendjes jo vetëm nga buxhetet e qeverisë, por edhe nga donatorët më të rëndësishëm si BB, falë financimit të të cilëve fillojmë brenda vitit lagjen e vjetër, që tashmë quhet “Qendër Historike e Përmetit” – theksoi Kumbaro.