Kupa e Azisë, shkojnë në gjysmëfinale Australia e Koreja e Jugut
Koreja e Jugut dhe Australia, dy ekipe pjesëmarrëse në finalet e fundit të Kupës së Botës, Brazil 2014, janë edhe dy ekipet gjysmë-finaliste të para të Kupës së Azisë, kompeticion që ndodhet tashmë në fazën e saj më emocionuese. Koreano-jugorët arritën të eliminonin pas 120 minutave lojë Uzbekistanin, që u dorëzua në kohën shtesë. Sakaq, 90 minutat e kohës së rregullt të ndeshjes që u zhvillua në “Rectangular Stadium” përfunduan në barazim 0-0, por ekuilibrat u prishën në minutën e 114-të, teksa Son Heung-Min zhbllokoi rezultatin, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Uzbekistani nuk kishte shumë kohë për të reaguar, ndaj u hodh në sulm për të gjetur golin e barazimit. Një minutë përpara përfundimit të kohës shtesë, Son Heung – Ming shënoi golin e dytë personal në këtë sfidë, finalizimin që vulosi kualifikimin e Koresë së Jugut. Në sfidën tjetër që u zhvillua në “Brisbane Stadium”, sulmuesi i njohur australian Tim Cahill realizoi dy gola për Australinë në pjesën e dytë ndaj Kinës, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi kundërshtarit. Sulmuesi i New York Red Bull i kaloi në avantazh vendas në minutën e 49’, ndërsa në të 60’ ai shënoi golin e sigurisë për përfaqësuesen e “kangurëve”. Australia konsiderohet pretendente kryesore për fitimin e Kupës së Azisë.