Kur drejtësinë e “akuzon” ekonomia

Nga Feti ZENELI/Në raportin e fundit global mbi teknologjinë e informacionit, Forumi Ekonomik Botëror e renditi Shqipërinë ndër 20 vendet me sistemin më problematik të drejtësisë në mbarë rruzullin. Dokumenti na fjalë, e cilëson sistemin tonë të drejtësisë, si më inefiçientin krahasuar me atë të 139 ekonomive të ndryshme të botës, pasi krijon kosto të larta për ekonominë në përgjithësi dhe biznesin në veçanti. Pak kohë më parë ka qenë Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili kishte deklaruar gjithashtu se, përmirësimi i sistemit gjyqësor dhe forcimi i së drejtës së pronës do të jenë kritike për ekonominë shqiptare.

Përqendrimi këto kohët e fundit tek reforma në drejtësi, pas disa reformave të pasuksesshme në fushën e ekonomisë dhe financave për shumë vite me radhë, duket se i ka lënë edhe më shumë jashtë vëmendjes së duhur politike dhe qeverisëse qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, për të cilët 2016-a po i ballafaqon me të njëjtat probleme, madje më të theksuara, që kanë pasur më parë si; korrupsioni, varfëria, papunësia, emigracioni, padrejtësia, arroganca, mungesa e perspektivws etj.. Kjo situatë më sjell ndërmend thënien e avokatit, profesorit dhe aktivistit të njohur amerikan në fushën e drejtësisë sociale, Bryan A. Stevenson se: “E kundërta e varfërisë nuk është pasuria (mirëqenia)… Në shumë vende, e kundërta e varfërisë është drejtësia”. Kjo do të thotë, se reforma në drejtësi, përveç të tjerash, duhet të jetë një instrument i fuqishëm apo një garanci më shumë në favor të një ekonomie që u shërben të gjithëve, dhe jo vetëm pushtetit të radhës, sikundër ka ndodhur përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit tonë.

Kur vetë reformat ekonomike të deritanishme, nuk kanë arritur të krijojnë një ekonomi që të punoj për të gjithë apo të sigurojë, që të gjithë të punojnë në dhe për këtë ekonomi, zor se një gjë e tillë mund të arrihet nga reforma në drejtësi, nëse ajo lihet në dorën e kësaj klase politike, që, siç thoshte një analist: “…pasi kanë ngrënë për shumë vite me radhë shqiptarët, mendojnë tani, se si do ta shfrytëzojnë këtë moment për të ngrënë njeri-tjetrin”. Përfaqësuesit mediatik të palëve, janë të parët që kanë dalë në “shesh të mejdanit”, duke skërmitur dhëmbët nëpër ekranet e televizorëve apo faqet e gazetave të përditshme. Sipas tyre reforma në drejtësi duhet bërë për hakmarrje dhe jo për hakdhënie. Ndërkohë për qytetarët e thjeshtë problemet janë rënduar; nuk ka punë, krimi po lulëzon, taksat janë rritur dhe do rriten edhe më tej, vendin e bimëve bujqësore e ka zënë hashashi etj. Ndaj një pjesë e tyre po mendon si të largohet nga kjo skëterrë që po i kanoset vendit, sepse kërkon të jetojë me nder e me dinjitet. Mirëpo, shumëkush nuk ka se ku të shkojë, sepse kanë investuar, kanë krijuar familje, kanë ndërtuar shtëpi e biznese, kanë krijuar lidhje politike e shoqërore në këtë vend, ndaj shpresojnë që situata e krijuar të ndryshoj për mirë këtu, në atdheun e tyre, të marrë peng nga një klasë politike e papërgjegjshme. Nga ana tjetër, politika është në krizë zgjidhjesh dhe në krizë të mbështetjes reale nga qytetarët, të cilët ndjehen të zhgënjyer nga të gjitha palët. Në këto kushte, klasa politike është e interesuar që reforma në drejtësi t’i shërbej më shumë konsolidimit të vetvetes se sa përmirësimit të jetës qytetare. Mosmarrëveshjet, kushtet dhe pretekstet që shfaqen herë pas here nga palët politike, sidomos nga maxhoranca, tregon se ato duan një reformë sa për formë, me qëllim që t’u sjell sa më pak andralla vetë atyre. Kur shqetësimi qytetar nuk ka qenë aq sa duhet pjesë e axhendës politiko-qeverisëse në shumicën dërmuese të reformave të mëparshme demokratike, reforma në drejtësi s’mund të bëjë çudira.

Normalisht, kategoritë më të cenuara nga mungesa e drejtësisë në shoqërinë tonë kanë qenë njerëzit e thjeshtë dhe operatorët ekonomikë të tregut, ndërsa kategoritë më të favorizuara kanë qenë politikanët dhe pushtetarët. Prandaj, dhe rekomandimi më i rëndësishëm i Progres Raportit të BE-së ishte arritja e “ … rezultateve të mëtejshme të prekshme në fushën e shtetit ligjor…”. Sipas institucioneve ndërkombëtare, reforma në drejtësi nuk duhet parë si një  masë për ndryshimin e sistemit të drejtësisë në vetvete, por më gjerë, duke  e lidhur atë me funksionimin demokratik të shtetit dhe mirëqeverisjen e vendit.

Në fund të fundit, një reformë e arrirë në sistemin e drejtësisë është baza apo themeli i një reforme të suksesshme ekonomike, duke garantuar më shumë mirëqenie dhe drejtësi sociale për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Dihet, që ekzistenca dhe mirëfunksionimi i shtetit ligjor, si dhe sundimi i së drejtës në ekonomi, janë thelbësore për një ekonomi tregu funksionale, të cilën ne aspirojmë. Vetëm në këto kushte, ushtrimi i pushtetit dhe dhënia e së drejtës bazohen në logjikën dhe jo arbitraritetin e ligjit, pasi vetëm kështu krijohen mundësi dhe hapësira të reale për zbatimin e reformave ekonomike jokorruptive, joabuzive, joinformale dhe  jokriminale. Një reformë e vërtetë në drejtësi, s’ka diskutim, që garanton më shumë liri ekonomike dhe kushte të favorshme për biznesin, rrit më tej kredibilitetin te partnerët ndërkombëtarë, donatorët dhe është një bazë e fuqishme për zhvillimin e një klime investimesh më miqësore për investitorët e huaj. Por faktet e deritanishme tregojnë se ka pak shpresë, që reforma në drejtësi do të ketë një impakt të menjëhershëm pozitiv në ekonomi.

Reforma në drejtësi, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, por paralelisht me to dhe reforma zgjedhore do të jenë tre nga sfidat më të rëndësishme, që politika dhe shoqëria shqiptare kanë për të përballuar gjatë vitit në vazhdim. Puna për përgatitjen dhe implementimin e këtyre reformave në dukje politike, deri në një farë mase, direkt apo indirekt, ka për të ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare, të paktën përgjatë dy viteve në vazhdim. Në një farë mënyre, të treja këto çështje më shumë se qeverisjes aktuale, ndoshta do t’i shërbejnë përgatitjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2017. Me pak fjalë, periudha në vazhdim, përveç të tjerash do të dominohet nga vëmendja e shtuar ndaj zhvillimeve politike në kurriz të atyre ekonomike, pavarësisht reformave dhe objektivave ambiciozë që ka vendosur qeverisja e majtë në këtë drejtim, për të zbutur deri diku problematikën sociale, të krijuar në të shkuarën.

Në këtë situatë sfidash të mëdha, për shkak të zhvillimeve të brendshme politike, që mund të prodhojnë reforma në drejtësi, ajo zgjedhore dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, plotësimi i treguesve ekonomik në përgjithësi dhe ai i rritjes ekonomike në veçanti në  nivelin e parashikuar, do të jenë të vështirë për t’u arritur. Përveç faktorëve të sipërpërmendur, mosplotësimi i këtyre objektivave rrezikohet edhe nga situata tejet e vështirë që po kalon sipërmarrja private, niveli i ulët i investimeve dhe kreditimit të ekonomisë, reduktimi i kërkesës së brendshme, mosharmonizimi dhe mosqartësimi i kompetencave të pushtetit vendor dhe qendror, pas ndarjes së re territorial e kështu me radhë. Kësisoj, punësimi do të vijoj të jetë problematik, varfëria po ashtu, ndërsa gjendja e financave publike edhe më e përkeqësuar se sa vitet e mëparshme të kësaj qeverie. Në këto kushte, respektimi i niveleve të sufiçitit buxhetor dhe borxhit publik do të arrihen nga “mosrealizimi” apo shkurtimi i shpenzimeve dhe investimeve publike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, sikundër është parashikuar qartazi edhe në buxhetin e vitit 2016. Ky lloj kohezioni social, përveçse do të shtoj varfërinë dhe pakënaqësinë qytetare, me nivelin e ulët të konsumit do të dëmtoj edhe rritjen ekonomike, duke krijuar një cikël negativ në ekonomi.

Investimet publike gjatë vitit të vazhdim do të ndjekin praktikën e njohur të “politizimit”, përzgjedhjes, planifikimit, shpërndarjes jashtë kritereve strikte të efektit ekonomik e social, edhe për shkak se po afron momenti elektoral për zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës. Ka  mundësi që gjatë 2016-ës, por sidomos në gjysmën e parë të 2017-ës, të thellohen më tej simptomat që janë vënë re edhe në momente ndërrimi të pushtetit politik, ku janë evidentuar ritme të ngadalta të rritjes së PBB-së, borxh publik i lartë, papunësi e shtuar, konsum i frenuar, rënie të kreditimit bankar etj. Përveç të tjerash përkeqësimi i situatës ekonomike buron edhe nga pasiguria e shtuar për të gjitha kategoritë e sipërmarrësve privat, të cilët më shumë se sa të stimuluar, ndjehen të frikësuar nga të ashtuquajturat reforma. I vetmi stimulim i sipërmarrjes private, fjala vjen, është heqja e taksës për biznesin e vogël, por që s’do të ketë ndonjë impakt të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, edhe për shkak të kontributit modest që ai jep në këtë drejtim. Nga ana tjetër, sipas një ankete të zhvilluar nga Fondacioni për Liri Ekonomike me 126 bizneseve të vogla dhe të mesme rezulton, që shumicës dërrmuese, ose gati 80% të tyre, u ka rënë xhiroja vjetore krahasuar me dy vite më parë. Po kështu, në kuadrin e formalizimit të ekonomisë nga qeveria, një aksion që nuk ka dhënë aspak efektin e pritur, këto lloj biznesesh kanë qenë tepër të prekura nga arbitrariteti, deri në atë masë sa që nuk arrijnë të rikuperojnë dëmet e pësuara dhe të aktivizohen sërish në treg. Por e njëjta situatë mbretëron edhe në kategoritë e tjera të biznesit. Të gjithë këto fakte, përveç vizionit të cekët qeverisës, tregojnë se politikat fiskale nuk gjejnë hapësira që të mbështesin zhvillimin dhe rritjen ekonomike, ndaj, kësisoj, në plan të parë dalin reformat strukturore, duke filluar nga ato të lehtësimit të mundësive për të bërë biznes. Por siç dihet, këto lloj reformash janë të kushtëzuara nga vizioni, kredibiliteti dhe produktiviteti i qeverisë, tregues të cilët janë në nivele tepër të ulëta. Shifra dhe fakte të tilla, duhet t’na zhveshin të gjithëve nga emocionet politike, në lançimin dhe kryerjen e reformave ekonomike, me qëllim që vendi të mos vazhdoj të mbetet ende peng i qeverisjeve të paafta dhe të papërgjegjshme.

Parimisht, në vendet me institucione dhe kulturë të dobët institucionale, qeverisja duhet përmirësuar në të tre pushtetet e një demokracie dhe ekonomie funksionale; në legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv. Në funksion të këtij parimi duket se janë edhe reforma në drejtësi, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe reforma zgjedhore, të cilat pritet të dominojnë jetën politiko-shoqërore përgjatë 2016-ës e në vazhdim, por problemi qëndron tek efekti negativ që ato mund të kenë tek ekonomia e vendit tonë, për shkak të përfshirjes më shumë se ç’duhet të qeverisë në punët politike, krahasuar me ato ekonomike. Madje ekziston rreziku, që në mungesë të kapitalit ekonomik, qeveria dhe maxhoranca aktuale, të luftoj për të fituar kapital politik, me qëllim që ta përdorin, pastaj atë, si kartë elektorale në zgjedhjet e vitit që vjen.

SHKARKO APP