Kur edukimi fizik, bëhej 5 orë në javë     

Nga Mikel Shestani /Në një nga përditshmëritë e bisedave mes miqsh e kolegësh për probleme të ndryshme, e solli  debatin në fushën e arsimit, veçanërisht në fushën e edukimit fizik. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se u veprua drejt  me shtimin e një ore edukim fizik në javë por t’i  japësh format politik këtij problemi, më e pakta është një devijim historik, pa hyrë në aspekte të tjera, që mund  t’ia vlejë të diskutohet në të ardhmen. Arkiva ruan të vërtetën historike, atë të vërtetë që në radhë të parë vlerëson përkushtimin e intelektualeve për kontributin e dhënë, për zhvillimin e arsimit në vendin tonë. Duke mos marrë përsipër të shpreh, se programi i edukimit fizik i gjetur në arkivin e bibliotekës është i pari i këtij lloji, po i paraqes lexuesit shkurtimisht brendinë e tij.

Në krye të tij shkruhet; Mbretnija Shqiptare (në mes stema e saj) e më poshtë vazhdon. Programi i edukatës fizike, morale, patriotike e të higjencës, botuar në vitin 1931 nga  shtypshkronja; “Mbrothesija”-Kristo P.Luarasi, miratuar nga Ministri i Arsimit, Hil Mosi dhe drejtori i Entit Kombëtar “Djelmnija Shqiptare”Rexhep Yella. Programi i hartuar me 32 faqe  është i ndarë në kapituj dhe nënkapituj. Në kapitullin hyrës;”Edukata fizike në shkolla, ku flitet për drejtimin e Përgjithshëm, shkruhet; “Edukata fizike ka për qëllim lartësimin e cilsina vet  fizik e të grumbullit dhe jo të formojë kampionë dhe vijon duke thënë se detyrim i të gjithë nxënësve të shkollave për të marrë pjesë në stërvitje të gjimnastikës (të paktën 5 orë në javë).

Në kapitullin e parë paraqet interes edhe përcaktimi i nënkapitujve, si mjetet ku futet lokali i mësimdhënies (flitet për palestër), baza materiale për përdorim dhe fusha. Kapitulli i dytë i kushtohet kontrollit të njohurive ose siç shkruhet tekstualisht; “Provë kontrollimi-individuale dhe kolektive për të bërë në fund të çdo viti shkollor”. Në provën e kontrollit jepen orientime e detaje të veçanta teknike, duke filluar nga ushtrimet e rreshtimit, vrapimet, kërcimet, hedhjet e deri tek lojërat sipas moshës së nxënësve. Në shënimin përkatës shkruhet: Komisioni kur të japi mendimin e vet, mbi gradën e përgatitjes  të nxënësve, e duhet të marrë parasysh sjelljen dhe disiplinën e rrëfyere në kohën e provimit, shkathtësi e lëvizjeve. Dhe në ekzekutimin e stërvitjeve, sidomos për nxënësit e vegjël.

Një zë të veçantë zë; Programi i higjienës, që nga përmbajtja e tij në shtatë faqet e shkruara, ruan vlera të rëndësishme. Kapitulli i tretë me 12 faqe i dedikohet;  Programit të edukatës morale e patriotike (tekstualisht). Në faqet e tij do të shfletosh të zbërthyer me argumente terma si flamuri, liria, ligjet, detyrat ndaj vetvetes, detyrat ndaj atdheut se siç shkruhet në pikën e parë, Atdheu asht shpija e jonë. Ndonëse kanë kaluar 85 vjet nga  hartimi i programit, qëllimi dhe objektivat e tij e ruajnë aktualitetin edhe sot. Përmbajtja e tij duhet të bëhet burim njohje historie dhe studimi shkencor, për të parë me objektivitet jo vetëm evoluimin e programeve në kohë të ndryshme por dhe ndryshimin antropometrik, teknik dhe fizik të brezave në vendin tonë. Duke  respektuar të djeshmen, ndërtojmë të sigurt të ardhmen.

SHKARKO APP