Kur merrja dritë nga “Koha Jonë”
Nga Abdurrahim Ashiku/Ajo hyri në jetën time një ditë maji, ditë e përveçme për Të, e përveçme edhe për mua. Më 11 maj të vitit 1991 mbusha 50 vjet jetë. Isha gazetar profesionist në një gazetë në njërin skaj të atdheut, në Peshkopi, gazetën partiake “Ushtima e maleve”, gazetë, si të gjitha simotrat e saj në rrethe që jetonte ditët e fundit të daljes në publik.
“Koha Jonë” vinte në një kohë tjetër, duke sjellë një model të ri: të menduari, të shkruari, pamje të jetës nga ana tjetër e medaljes, anë që deri atëherë i ishim larguar.
U bëra pjesë e gazetës…
Nga fletët e zverdhura, kopje e dytë e shënimeve, po përcjell dy, një letër dhe një protestë njerëzore
I nderuar z. Nikoll !, I nderuar z. Aleksandër !}
Me këto pak radhë ju përcjell nderimin dhe respektin tim për guximin, burrërinë dhe trimërinë tuaj. Si gazetar jam me ju. Por mbi të gjitha jam me ju si dibran që e donë fjalën e lirë.
Sapo kam dalë nga spitali pas një operacioni (dhe pas shumë hemorragjive dhe peripecive që kam kaluar që nga prilli i vitit të kaluar kur u godita, tinëzisht dhe pabesisht, me pesë shkopinj gome tek punoja mbi makinën e shkrimit në zyrën time).
Po e marr veten fizikisht dhe me gjithë moshën sa dy herë juaja (jam 53 vjeç) nuk do t’ia kursej forcat e mija fjalës së lirë, triumfit të saj.
Me këtë rast ju ofroj bashkëpunimin tim në faqet e gazetës tuaj duke mbuluar trevën e gjerë të Dibrës, në këtë anë dhe në anën tjetër të kufirit.
Me respekt të lartë për misionin tuaj fisnik.
P.S: Në Odën Dibrane emri dhe fjala juaj ka hyrë si BURRA me germa kapitale.
Qofshi kurdoherë të lirë, me fjalën e lirë në gojë, ju dhe shokët tuaj në «KJ».
Peshkopi, më 3 mars 1994.
Fleta tjetër, edhe ajo e zverdhur nga koha dhe rruga e gjatë në mërgim ishte mbështetja ime modeste për një ngjarje të rënda, dhunës së shtetit ndaj fjalës së lirë…
ZEMËR TË FORTË, NGA “BURGU U BARDHË”, MARTIN LEKËS NË “BURGUN E ZI”
Në efirin e gjerë, në të gjithë botën, u përhap një lajm: Drejtësia shqiptare jo vetëm nuk i dha pafajësi një të pafajshmi por i shtoi edhe një «krah dru» turrës mbi të cilën inkuizicioni modern po digjte fjalën e lirë.
Turp i madh për turrëformuesit.
Turp i turpit për zjarrvënësit.
NDER për Xhordanobrunët e kohës sonë që edhe mbi turrën e përpirë nga flakët vërtetuan se “Bota rrotullohet…”
Për më se njëmbëdhjetë muaj më ka takuar të ngujohem në “burgun e bardhë” në skajet e të cilit po përcjell edhe këto radhë.
Rrjedhë e atyre pesë shkopinjve të gomës, që një hjeks i pompuar kacekshëm nga njerëz me pushtet përplasi mbi kokën time duke skuqur me gjak rreshtat e një kronike mbi makinën e shkrimit, më përcollën për afro njëmbëdhjetë muaj në “qelitë” e “burgut të bardhë”. Iu nënshtrova këtij “burgimi” në Peshkopi dhe në Tiranë dhe në fillim të këtij viti me një operacion të vështirë në Peshkopi. Falë humanizmit të mjekëve dhe përkushtimit të shokëve dhe njerëzve të mi tash jam në skaj të “qelive” të këtij “burgu”.
Mos e provofshi kurrë, por të më besoni “burgu i bardhë” është kaq pranë “burgut të zi” sa është vështirë ta dallosh. Kur ta jep Zoti hajde de, por kur ta jep robi mos o Zot ma keq !
Në “burgun e bardhë” ka një rregull, zbatimi apo mos zbatimi i të cilit të nxjerr apo të përcjell prej tij. Rregulli është: “Pacienti, mjeku dhe sëmundja”. Kur pacienti i bëhet krah mjekut atëherë fitorja është shumë pranë. Kur mjeku i bëhet krah sëmundjes…
Në asnjë nen të këtij ligji nuk flitet për raste kur mjeku i bëhet krah sëmundjes kundër pacientit…
Në gjyqin që iu bë zotërinjve Frangaj e Leka, në qelitë e “burgut të zi” ku ata i hodhën përdhunisht, mjeku iu bë krah sëmundjes. Më tej drejtësia iu bë krah padrejtësisë.
Për fat shtetin tonë e drejtojnë mjekët. Për fat demokracinë e re dhe të brishtë në Shqipëri po e drejtojnë mjekët. Por, për ironi të fatit, mjekët tanë në pushtet i janë bërë “krah sëmundjes”. Pacienti është në rrezik ! Dhe pacient nuk është Martin Leka por është Liria, Demokracia jonë e re. Fjala e lirë e njeriut të ri përbën themelin e jetës në demokraci. Kjo sot është në rrezik.
Megjithatë ka kohë, ka ende kohë për t’iu bërë krah lirisë kundër diktaturës.
Gjykimi i çështjes në shkallë të dytë nuk duhet ta humbasë këtë kohë, këtë shans që i jep historia e lirisë kundër dhunës, e demokracisë kundër diktaturës. Këtë shans nuk duhet ta humbasë as presidenti ynë, mjeku i nderuar i zemrës, nismëtari i ligjit kushtetues për liritë dhe të drejtat e njeriut, burri i shtetit që ka në dorë medikamentin më efikas kundër sëmundjes së diktaturës, medikament që ai e ka emërtuar botërisht me sentencën e tij se për nxjerrje sekreti gazetari nuk mban përgjegjësi.
Ka kohë pra që mjeku ti bëhet krah pacientit dhe ta çrrënjosë nga trupi i brishtë i demokracisë (që duam të ndërtojmë dhe që e duam me shpirt) …sëmundjen.
Peshkopi, më 3.3.1994
Do të vijoja me shkrime nga Dibra me majën e lapsit mbi bëmat e pashoqe, me prerjen në rrënjë të blloqeve të mëdhenj frutorë të Dibrës prej të cilëve merreshin më se njëqindmijë kuintal fruta në vit, të shkatërrimit të fabrikave e uzinave e mbi të gjitha të minierave të kromit, miniera që kishin dhënë valutën për tharjen e kënetave, ndërtimin e hekurudhave, ndërtimin e uzinave dhe fabrikave…të gjitha drejt “kuotës zero” në pritje të “çekut të bardhë”…
Do të vazhdoja deri kur një ditë korriku do të ikja natën për ti shpëtuar “mjekëve të zinj”, në një udhëtim tash njëzetvjeçar…
Edhe nga “mërgimi i zi” nuk i ndejta larg gazetës “Koha jonë”. Ishte një dritë që reflektonte larg, thellë, që ngrohte dhe ngroh…
GËZUAR 25 VJETORIN GAZETA “KOHA JONË” !
Edhe njëqind vite me dritë dhe liri…
Mos i harroni mërgimtarët. Janë një e treta e Shqipërisë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 6 maj 2016